Kaltrina Fazliu-Shillova, gruaja e futbollistit Alban Shillova, është ndarë nga jeta në moshë të re, në orët e para të së hënës.
Lajmi është njoftuar nga familjarët e saj përmes rrjeteve sociale.
Ata kanë bërë të ditur se varrimi i së ndjerës do të bëhet në fshatin Zllatar të Prishtinës sot, me kohë të ikindisë.
“Sot me dt: 15/01/2024 vajza jone ndërroi jete! Ju njoftojmë se vorrimi bëhet me ikindi ne fshatin Zllatar- komuna Prishtinë! Të pikëlluar familja Fazliu-Shillova!”, thuhet në njoftim.
Për vdekjen e saj ka njoftuar edhe bashkëshorti i saj, Alban Shillova, i cili është futbollist dhe ka qenë pjesë e klubeve si Malisheva e FC Prishtina.
“Me pikëllim të thellë dhe zemra të thyera ju njoftojmë që Kaltrina jonë e dashur ndërroi jetë! Varrimi bëhet me namazin e ikindisë në fshatin Zllatar”, thuhet në njoftimin e tij.
Kaltrina ishte mësuese e matematikës. Lidhur me këtë ka reaguar edhe shkolla ku ajo jepte mësim, ShFMU Daut Bogujevci.
Njoftimi i plotë i shkollës
Njoftim mortor
Me pikëllim të thellë dhe dhimbje të madhe morëm lajmin e kobshëm, se është ndarë nga jeta në moshë të re, mësimdhënësja e matematikës Kaltrina Fazliu Shillova.
Kaltrina tash e disa vite ishte pjesë e shkollës sonë duke bërë promovimin e dijes së saj nëpërmjet edukimit të brezave të rinj.
Përkushtimi, puna e palodhur dhe angazhimi i saj si mësimdhënëse e matematikës, njohëse e shkencave ekzakte, e bëjnë Kaltrinën, një nga figurat që do të jetojë gjatë në fushën e arsimit dhe edukimit.
Ndërsa, për ne që patëm fatin ta njohim do të mbetet gjithmonë vajza e qetë, e buzëqeshur dhe e guximshme që i jepte gjallëri dhe dobi çdo takimi.
Shprehim ngushëllimet më të sinqerta gjithë familjes Fazliu-Shillova, miqëve, dhe gjithë komunitetit arsimor!
I përjetshëm qoftë kujtimi për të!