Përplasja e Ragip Xhakës me Zana Avdiun në emisionin “Favorit” në T7 vazhdon të mbetet temë aktuale edhe pse kanë kaluar disa muaj nga ajo kohë.
Aktivistja kosovare, e cila veprimin e Granit Xhakës, i cili e kishte kapur organin gjenital në ndeshje me Serbinë në Botëror, e kishte konsideruar një akt prej rrugaçi, ka folur për mediumin e madh zviceran, “Blick”.
Zana Avdiu, e cila njihet si një feministe, ishte akuzuar rëndë nga babai i Xhakës, Ragipi, i cili ishte lidhur në emisionin “Favorit”, duke e vënë gishtin mbi mysafiren, së cilës i kishte thënë të ketë kujdes se çka shkruan dhe se çka flet për familjen Xhaka, pasi më pas do të përgjigjej për këto deklarata/postime.
Sipas 30 vjeçares, reagimi i Xhakës senior ishte i panevojshëm, duke e pasur parasysh se Graniti ishte vetë në gjendje të reagonte, nëse do të kishte arsye.
“Sigurisht që jo, paraqitjet dhe deklaratat e mia nuk kanë të bëjnë me emocione të çastit. Gjithmonë kanë të bëjnë me botëkuptimet e mia, me qëndrimet e mia që i kam karshi fenomeneve apo ngjarjeve në shoqëri, ka thënë fillimisht Avdiu për “Blickun” zviceran derisa po qëndron në Zurich.
“Duhet pasur parasysh se ne në Kosovë jemi një shoqëri patriarkale ku babai është në krye të familjes dhe që jep përgjegjësi për të gjithë dhe vendos për të gjithë anëtarët e familjes. Dhe, kjo ka mundur të jetë njëra prej arsyeve që të reagojë dhe ta mbrojë djalin e tij, ndonëse ai (Graniti) është i moshës madhore dhe nuk ka nevojë për mbrojtjen e babait. Asnjëherë nuk mund ta imagjinoj po të ndodhte rasti që ta kritikoja Roger Federerin dhe më pas të më telefononte babai i tij, kjo është e paimagjinueshme”, ka shtuar Zana Avdiu.
“Gratë në Kosovë shihen si inferior. Ta kritikosh një burrë publikisht, veçanërisht si grua, është një tabu. Shumë fusha, si politika dhe sporti, ende dominohen nga burrat. Në familjet shqiptare vetëm katër për qind e vajzave trashëgojnë dhe vetëm 17 për qind e grave kanë pronë. Kjo nga ana tjetër i bën gratë shumë të varura nga anëtarët e tyre meshkuj të familjes”, thekson ndër të tjera ajo, duke nënvizuar se gratë në diasporë gëzojnë më shumë liri dhe të drejta.
Ajo tutje ka shtuar se iu desh ta ndryshonte jetën e saj pas kritikave ndaj Xhakës.