12.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Gjykimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së për krime lufte, dëshmitari: Ky gjykim po çon drejt vëllavrasjes

- Advertisement -

Dëshmitarët Nuhi Zyrapi dhe Sejdi Përteshi të hënën kanë përfunduar dëshmitë e tyre në gjykimin për krime lufte që po zhvillohet ndaj ish-luftëtarit të UÇK-së, Remzi Shala.

Shala nga Prokuroria Speciale po akuzohet se në qershor të vitit 1998 bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi ishte duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

- Advertisement -

Përteshi pak ditë më pas ishte gjetur i vdekur pranë rrugës në fshatin e tij – Duhël të Suharekës.

Nuhi Zyrapi gjatë dëshmisë tha se ky shqyrtim është duke shkuar në drejtim të “vëllavrasjes”.

- Advertisement -

“Kam ardhë me dëshmu edhe me kërkesë të palës së dëmtuar, edhe e kam ndier veten moralisht me ardhë me dëshmu për këtë rast, për ato që i di. Kam parë që gjykimi është duke dalë prej binarëve, duke u njollosur njerëzit, edhe duke shkuar në drejtim të vëllavrasjes”- ka thënë Zyrapi.

Nuhi Zyrapi tutje ka mohuar deklarimet e të akuzuarit se vëllai të ketë mundur ta vrasë vëllanë.

“Nuk ka qenë kurrë e vërtetë që dikush mundet me marrë me vra vëllanë e vet. Këtu është thënë se Haxhi Përteshin e ka marrë në pyetje vëllai i vet, Sejdiu. Si ka mundësi që dy ditë para se me ndodhë vdekja e Haxhiut, Sejdi Përteshi është liruar prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Si ka mundësi që pas dy dite me marrë në pyetje Sejdiu- Haxhiun, kur ai ka qenë i liruar dy apo tri ditë para vdekjes së Haxhiut?-Kjo është vetëm njollosje e njeriut” –u shpreh Zyrapi.

- Advertisement -

Por të gjitha këto deklarime Blerim Mazreku, avokat i të akuzuarit, i vuri në pikëpyetje.

“Procesi gjyqësor në këtë çështje ka rreth 7 vite. Nëse ky dëshmitar me të vërtetë ka ardhur për drejtësinë shtrohet pyetja ku ka qenë i njëjti të paktën këto shtatë vite?”- ka theksuar Mazreku.

Reagime pati edhe nga vetë i akuzuari, Remzi Shala.

“Pse nuk ka ardhur ky në 2016-ën, kur është ftuar këtu në seancë? Unë e kam dëgjuar një herë që ky është ftuar”-tha Shala.

Në vijim të gjykimit për të dëshmuar u ftua edhe Sejdi Përteshi, vëlla i të ndjerit.

Por i njëjti refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të të akuzuarit, duke theksuar se të gjithat janë thënë gjatë seancave të gjykimit.

“Nëse Gjykata më merr në pyetje unë u përgjigjem, ndërsa nuk dëshiroj të përgjigjem në pyetjet e avokatit” – deklaroi Përteshi.

Refuzimi i dëshmitarit për t’u përgjigjur përfundoi me vërejtje të dhëna nga Blerim Mazreku dhe i mbrojturi i tij, Remzi Shala.

Seanca e radhës për këtë rast, ku do të jepet fjala përfundimtare, u caktua për më 9 mars 2023.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël” – thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Remzi Shala është dënuar me 14 vjet burgim, kurse Gjykata e Apelit përmes një vendimi i ka zbutur dënimin në 10 vjet burgim. Pas kësaj, Gjykata Supreme ka anuluar këto dy gjykime duke e kthyer rastin në pikën zero, raporton Kallxo.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -