Sot është 28 Nëntori, datë që shënjon shumë ngjarje historike. Nga rikthimi i Skënderbeut në Krujë, shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, e deri te ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari e daljes së parë publike të UÇK-së në Llaushë të Skënderajt.
Secilin 28 Nnëntor, në vëmendjen e publikut rikthehet sakrifica e familjes Jashari. Natyrisht, në mbamendjen e publikut janë të gjalla ende pamjet madhështore të Adem e Hamëz Jasharit, dy heronjve të luftës së viteve 1998-1999.
Edhe 25 vjet pas rënies së tyre, bisedat në odën e Jasharajve janë ende gjalluese e frymëzuese. Në këto paraqitje, ndonëse jo të gjata në minutazhë, dy vëllezërit Jashari, pra Adem e Hamëz Jashari, tregojnë këmbënguljen e tyre.
Madje, vetë Adem Jashari, komandanti legjendar i UÇK-së, e tregonte në një audioincizim këmbënguljen e tyre për çlirimin e Kosovës.
“Janë këmbëngulës në ato parimet që jemi marrë vesh. Besa – besë…vetëm një vdekje se tjetër s’ka në këtë jetë dhe një fjalë e mirë” – janë fjalët e mëdha të komandantit Adem Jashari.
Po kaq këmbëngulës tingëllonte edhe Hamëz Jashari, po ashtu hero i Kosovës, që ra në dëshmorë gjatë Epopesë së Familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Duke folur pas sulmit të dytë në kullën e Jasharajve, heroi Hamëz Jashari tregonte se dinin se po vëzhgoheshin, por i vendosur deklaronte se nuk kanë frikë.
“Kemi paralajmërime që kanë vendos kamera të sigurta që kanë vendosë kamera vëzhguese. Kështu që dy hymjet e brendshme që i kemi me hy në ship, edhe në odë, përcillen prej, doket ka të hyjmë, edhe e dimë që janë duke na vëzhgu. Kam mujtë, edhe m’kanë preferue, m’kanë sugjerue shokët me e bo një mbulesë aty mos mu dokë hymja-dalja. S’kam dashtë. Thash le ta dinë që po e dimë, edhe s’po frigohemi. Kur t’don net sulmon n’derë e ku t’don…Jam i gatshëm çdo moment me prit vdekjen” – deklaronte Hamëz Jashari gjatë një interviste më 1998, shkruan Nacionale.
Edhe në një intervistë tjetër, Hamëz Jashari deklaronte i vendosur se në Kosovë do ta bëjnë vdekjen ai dhe familja e tij.
“Nuk kemi ku me shku na, këtu do ta bëjmë vdekjen, këtu ku të parët tonë kanë jetu në shekuj, prej ilirëve e pellazgëve. Këtu edhe ne do ta bëjmë vdekjen. KURRË nuk do ta lëshojmë, do t’i përgjigjemi me aq sa kemi mundësi” – deklaronte Hamëz Jashari.
Sot në Kosovë është festuar gjërësisht 28 Nëntori, ndërsa shumë zyrtarë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti kanë bërë homazhe në Prekaz te kompleksi memorial i Familjes Jashari./Nacionale