9.5 C
Pristina
Tuesday, May 14, 2024

Stadium në Bërnicë, renovim i Grandit, pishina të reja nëpër komuna, krejt çka premtoi Kurti në Kretë për Lojërat Mesdhetare

- Advertisement -

Kosova e fitoi së fundmi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, një garë prestigjioze multi-sportive kjo, më prestigjiozja e mbajtur ndonjëherë në vendin tonë.

- Advertisement -

Me 55 vota pro, 8 kundër dhe 3 vota të pavlefshme, “Prishtina 2030” e mori dritën e gjelbër për të qenë organizatore e këtyre Lojërave pas shtatë vjetësh nga tash.

- Advertisement -

Ndonëse nuk pati kundër-kandidate, Kosova e kaloi me sukses procesin, duke e pasur parasysh se i kishte disa pengesa, përfshirë këtu edhe kundërshtimin e madh të Serbisë.

“Gazeta Express” e ka siguruar ekskluzivisht dosjen e kandidaturës së “Prishtina 2030” për mikpritjen e Lojërave Mesdhetare.

12 pikëshi i “Prishtina 2030”

- Advertisement -

Tabela e broshurës me të cilën aplikoi Kosova për t’i organizuar Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 i përmban 12 pika, përfshirë këtu 1 – Vizionin, 2 – Konceptin e Lojërave dhe faktet, 3 – Aspektet legale dhe mbështetja e institucioneve, 4 – Komiteti Organizativ, 5 – Programi i Lojërave të 21-ta Mesdhetare dhe vendi i mbajtjes së tyre, 6 – Akomodimi dhe hoteleria, 7 – Shëndeti dhe kontrolli i anti-dopingut, 8 – Transporti dhe logjistika, 9 – Identiteti vizuel marketingu e komunikacioni, 10 – Imigrimi dhe formalitetet doganore, 11 – Programi kulturor, qëndrueshmëria dhe trashëgimia dhe në fund 12 – Financat.

Në aplikimin e saj, Kosova siguroi se në vendin tonë ekziston entuziazmi, kapaciteti, mundësia dhe vullneti për ta organizuar një event sa më të mirë, i cili do të mbahej në mend për shumë vite.

“Të nderohet e kaluara, të festohet e tashmja, të shijohet e ardhmja e bashkuar”

Në pikën e parë, që është vizioni dhe koncepti i Lojërave Mesdhetare, “Prishtina 2030” e përmend faktin se shoqëria kosovare synon të krijojë të ardhme më të mirë, ndërsa e kaluara do të nderohet, e tashmja do të festohet dhe e ardhmja do të shijohet dhe do ta krijojë një bashkim për të ecur tutje.

Ndër të tjera, në aplikim përmendet edhe fakti se në Kosovë jeton një numër i konsiderueshëm i popullatës me të rinj.

Pra, populli në Kosovë është mjaft i ri, me 45 për qind të popullatës në moshë nën 25 vjeç dhe një statistikë impresionuese prej 75 për qind të popullatës nën 35 vjeç.

Në total, në Kosovë janë të regjistruar 1,739,825 banorë, prej tyre 969,778 meshkuj (55,74 për qind) dhe 776,310 femra (44,62 për qind).

Tutje, përmenden sukseset e jashtëzakonshme të Kosovës, mbi të gjitha në Lojërat Olimpike, ku vendi ynë i ka siguruar tri medalje të arta përmes sportit të xhudos, me Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin në vetëm dy pjesëmarrje në Olimpiada.

Gjithashtu, përmenden edhe 10 medalje në Lojërat Mesdhetare, 4 medalje në Lojërat Evropiane në dy pjesëmarrje në këto gara.

Organizatori e përmend edhe faktin se vendi ynë ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe më të mirat me vendin komshi me kufi – Shqipërinë, e cila do ta mbështesë vazhdimisht Kosovën në këtë organizim, shkruan “Gazeta Express”.

Shqipëria madje ia ka ofruar Kosovës detin për sportet e lundrimit, në mënyrë që ta kompletojë një organizim të paharrueshëm të Lojërave Mesdhetare.

Lojërat Mesdhetare do ta përmirësojnë infrastrukturën sportive në Kosovë

Organizatori e përmend edhe faktin se organizimi i kësaj gare prestigjioze do të ndihmojë edhe në përmirësimin e infrastrukturës sportive në vendin tonë pasi do të përmirësohet gjendja e objekteve ekzistuese sportive, por që ndërkohë do të ndërtohen edhe objekte të reja sportive, të cilat më pas do të mundë t’i përdorin sportistët kosovarë, por që do të shërbejnë edhe në organizimet e reja sportive ndërkombëtare në të ardhmen.

“Prishtina 2030” do ta ketë edhe Fshatin e Lojërave Mesdhetare, pra aty ku do të vendosen sportistët.

Shtëpia e sportistëve do të jenë Konviktet e studentëve, që gjenden në qendër të Prishtinës, e që përkohësisht do të përdoren si Fshati i Sportistëve.

Në aplikim përmenden edhe temperaturat që sillen në Kosovë në atë periudhë, që i bie mes muajve korrik dhe gusht, e ku temperatura në atë periudhë është ideale, afro 21 gradë celsius.

Gjithashtu, janë përmendur edhe operatorët e telefonisë mobile, që do të ofrojnë edhe shërbime të kënaqshme me internet, por edhe transporti.

Sa i përket sigurisë, është përmendur që Kosova është një vend mjaft i sigurt.

Për këtë punë përkujdesen Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me një numër aktual prej më shumë se 8 mijë oficerë policorë në uniformë.

Ndër të tjera, përmendet se Dosja e Kandidimit të Prishtinës mbështetet plotësisht nga Qeveria e Kosovës, nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe nga të gjitha Federatat Sportive, nga Rajoni i Prishtinës dhe nga krejt Komunat e përfshira në aspekte të ndryshme në kandidaturë.

Madje, përmendet edhe shfaqja e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti më 4 korrik 2023, për ta prezantuar kandidimin e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

“Prishtina 2030” me 24 disiplina sportive, prej tyre 21 olimpike e 3 jo-olimpike

“Prishtina 2030” i ka propozuar 24 disiplina sportive, përfshirë këtu 21 kategori prestigjioze të disiplinave olimpike dhe 3 disiplina jo-olimpike.

Disiplinat sportive të propozuara janë: hedhja me hark, atletika, boksi, çiklizmi, përleshja me shpata, futbolli, gjimnastika, xhudoja, vozitja me varka, lundrimi, qitja, noti, noti nën ujë, vaterpolo, tenisi, peshëngritja, bowls, pingpongu, karateja, basketbolli 3×3, hendbolli, volejbolli, taekwando dhe mundja.

Këto ngjarje, në të dyja gjinitë, do të nisnin më 24 korrik dhe do të mbyllen më 4 gusht të vitit 2030.

Objektet sportive ku do të mbahen garat e “Prishtina 2030”

Po ashtu, janë cekur edhe objektet sportive ku do të mbahen këto evente:

Atletika do të mbahet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë; Volejbolli në hallën e sporteve “Bashkim Selishta” në Gjilan; Vozitja me varka në Liqenin e Batllavës; Hendbolli në hallën e sporteve “Bill Klinton” në Ferizaj; Gjuajtjet me hark në Drenas; Lundrimi në Durrës; Futbolli në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në stadiumin e Gjilanit, në stadiumin e Hajvalisë, në stadiumin e Gjakovës dhe në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë; Bowls në Parkun Nacional të Gërmisë në Prishtinë; Hendbolli në hallën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë, Xhudoja në Qendrën Nacionale në Pejë; Noti nën ujë në Kompleksin e Pishinës Olimpike në Prishtinë; Gjimnastika në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë; Volejbolli në hallën e sporteve në Podujevë dhe në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, Çiklizmi në Tour of Kosova; Tenisi në Kompleksin e Tenisit në Prishtinë; Mundja në hallën e sporteve “Sezai Surroi” në Prizren, Loja me shpata dhe Peshëngritja në hallën e sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë, Qitja në Qendrën e Qitjes në Skenderaj dhe Basketbolli 3×3 në Qendër të Qytetit të Prishtinës.

Ndonëse nuk përmendet lokacioni, njëri prej projekteve më të mëdha të Lojërave Mesdhetare do të jetë ndërtimi i stadiumit të futbollit, i cili do ta ketë një kapacitet prej 25 mijë ulësesh, do të gjendet 13 kilometra nga Fshati i Sportistëve, 16 kilometra nga Aeroporti i Prishtinës dhe 11 kilometra larg qendrës së qytetit të Prishtinës.

Kjo nënkupton se ky stadium nacional mund të ndërtohet në Bërnicë, shkruan “Gazeta Express”.

Ndër të tjera, përmenden edhe stadiumet “Fadil Vokrri” në Prishtinë me 13 mijë ulëse, i cili do të rinovohet, pastaj stadiumi i qytetit në Gjakovë, i cili është duke u rinovuar dhe do t’i ketë 9,300 ulëse, stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë, që do të rinovohet dhe do t’i ketë 14,000 ulëse, stadiumi i qytetit në Gjilan, që do të rinovohet dhe do t’i ketë 12,000 ulëse, stadiumi i Hajvalisë, që do të rinovohet dhe do t’i ketë 7,000 ulëse dhe stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë me 3 mijë ulëse,

Pallati i Rinisë dhe i Sporteve në Prishtinë do të jetë po ashtu i rëndësishëm.

Tutje, në broshurën e aplikimit përmendet edhe fakti se në dispozicion për Lojërat Mesdhetare do të jetë edhe salla e madhe e këtij Pallati me kapacitet prej 6,500 ulësesh, kurse salla aktuale, ajo e vogla do t’i zë 2,800 njerëz.

Pallati i Rinisë dhe i Sporteve do të jetë “fole” e shumë garave që do të luhen në “Prishtina 2030”.

Kurse, Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë ka kapacitet prej 800 ulësesh, ndërsa aty pritet që Kosova t’i arrijë sukseset më të mëdha në këto Lojëra Mesdhetare.

Sa u përket palestrave sportive, të gjithat do të rinovohen: “Shani Nushi” në Gjakovë do t’i ketë 1,800 ulëse, “Minatori” i Mitrovicës po ashtu 1,800 ulëse, njëjtë si “Bill Clinton” në Ferizaj, “Sezai Surroi” në Prizren e “Bashkim Selishta” në Gjilan.

E në Podujevë do të ndërtohet një palestër e re sportive, e ngjashme me të lartpërmendurat, me një kapacitet prej 1,800 ulësesh, që po ashtu do të shërbejë për sporte të ndryshme.

Organizatori i përmend edhe Qendrën e Pishinave Olimpike, që do të ndërtohet e re, me kapacitet prej 2,000 ulësesh.

Këto tri pishina olimpike do të ndërtohen në distancë prej 13 kilometrash nga Fshati i Sportistëve, respektivisht 26 kilometra larg Aeroportit “Adem Jashari” e 11 kilometra larg qendrës së Prishtinës.

Do të ndërtohet edhe një Kompleks i Tenisit në Prishtinë.

Fusha kryesore do t’i ketë 2,000 ulëse, kurse ato përcjellëse nga 200 ulëse.

Lokacioni i tij do të jetë 13 kilometra nga Fshati i Sportistëve dhe 26 kilometra larg aeroportit “Adem Jashari”, respektivisht 11 kilometra larg qendrës së qytetit në Prishtinë.

Në Drenas do të ndërtohet Qendra e re e gjuajtjes me Hark, me një kapacitet prej 500 ulësesh, 30 kilometra nga Fshati i Sportistëve, 20 kilometra larg aeroportit “Adem Jashari” dhe 28 kilometra larg qendrës së Prishtinës.

Ky poligon në të ardhmen do të përdoret për sportet e shigjetarisë dhe shenjëtarisë.

Në Skenderaj do të ndërtohet Qendra e Qitjes, me një kapacitet prej 1,000 ulësesh, ndërsa do të jetë 40 kilometra nga Fshati i Sportistëve në kryeqytet, 39 kilometra nga aeroporti “Adem Jashari” dhe 38 kilometra nga qendra e qytetit në Prishtinë.

Për sportin e vozitjes me varka do të shërbejë Liqeni i Batllavës, i cili do t’i adaptohet kësaj gare, ndërsa do të ketë kapacitet prej 1,500 ulësesh dhe gjendet 26 kilometra nga Fshati i Sportistëve në Prishtinë.

Parku Nacional i Gërmisë, që gjendet veç 4,5 kilometra larg Fshatit të Sportistëve, ka kapacitet prej 1000 ulësesh, ndërsa do të shërbejë për sportin Bowls, që është një lloj përzierjeje mes bowlingut dhe golfit.

Pra, garuesit e gjuajnë topin me duar, në tentim për ta futur në vrimë.

Sporti i Çiklizmit do të mbahet nëpër Kosovë, ndërsa atë do të mundë ta ndjekin 5000 shikues në ulëse dhe të tjerë në këmbë.

E në qendër të Prishtinës, respektivisht në shesh, do të mbahet gara e Basketbollit 3×3.

Arena e parë do ta ketë një kapacitet prej 2,500 ulësesh, e ajo e dytë – 1000 ulëse.

Kjo hapësirë ndodhet veç 1,7 kilometra larg Fshatit të Sportistëve.

Garat e Lundrimit do të mbahen në Durrës, ndërsa kapaciteti do të jetë 1,000 ulëse për shikuesit, 260 kilometra larg Prishtinës, 32 kilometra nga aeroporti ndërkombëtar i Tiranës.

Janë përcaktuar edhe qendrat stërvitore, të cilat do të jenë kryesisht në Prishtinë, përfshirë këtu sallën e sporteve “1 Tetori”, që gjendet fare pranë Fshatit të Sportistëve.

Kur jemi tek ky i fundit, vlen të ceket se ai gjendet 18 kilometra nga aeroporti “Adem Jashari”, 1,2 kilometra nga qendra e qytetit, ndërsa është ekzistues, por që do të rinovohet.

Hapja zyrtare e Lojërave Mesdhetare më 22 korrik e mbyllja më 8 gusht 2030

Hapja zyrtare e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” do të bëhet më 22 korrik 2030 dhe mbyllja më 8 gusht të po atij viti.

Do të jetë në total 2023 dhoma.

Ndërkohë, përmendet edhe rinovimi i Hotel Grand, i cili do ta luajë një rol vital për pritjen e pjesëmarrësve, zyrtarëve dhe vizitorëve gjatë Lojërave Mesdhetare, ndërsa janë përmendur edhe 18 hotele të tjerë në Prishtinë, Pejë e Gjakovë, që shihen si vende opsionale të akomodimit.

Do të ketë edhe qendër të shëndetit dhe të kontrollit të anti-dopingut, një faktor i rëndësishëm ky gjatë një gare aq të madhe si ajo e Lojërave Mesdhetare.

Do të ketë shërbime të shëndetit për sportistët, kontrolle të anti-dopingut dhe shërbime emergjente.

“Prishtina 2030” siguron edhe shërbime të lehta dhe të thjeshta të transportit, mbi të gjitha të atij ajror, por edhe rrugor, me autostradat që janë ndërtuar dhe që do të ndërtohen deri në atë periudhë.

Përmendet edhe transporti i avancuar publik në Prishtinë, që është aktiv deri në orët e vona të mbrëmjes.

Përshkrimi i logos zyrtare të “Prishtina 2030”

Sa i përket logos, janë përfshirë “Hyjnesha në From”, që është edhe logo e kryeqytetit, pastaj rrathët olimpikë dhe silueta e medaljeve olimpike të fituara nga Kosova.

Ngjyrat janë integruar me nuancën e flamurit të Republikës së Kosovës, duke e krijuar një identitet vizual të unifikimit dhe të mbamendjes.

Gjithashtu, përmendet edhe programi kulturor, derisa prezantohet Kosova si një vend historik, kulturor, me art, me gastronomi dhe me bukuri natyrore.

Në periudhën deri në fillimin e Lojërave Mesdhetare do të ketë trajnime dhe seminare të ndryshme për trajnerët, për gjyqtarët dhe për zyrtarët tjerë sportivë, që do të shërbejnë në avancimin e sportit në vend.

Gjithashtu, do të punohet në detaje me pjesëmarrësit e organizimit të Lojërave Mesdhetare dhe me vullnetarët që do të ndihmojnë në mbarëvajtje të “Prishtina 2030”.

Kosova konsiderohet si vend i sportit dhe s’do mend se në atë periudhë nuk do të flitet për asgjë tjetër pos sportit.

Buxheti

Sa i përket buxhetit, Qeveria e Republikës së Kosovës i ka vënë në dispozicion 253,445,501 euro, prej tyre 49,108,001 euro për shpenzime operative dhe 204,337,500 euro për investime në infrastrukturë.

Nëse e shikojmë më detajisht, për shërbime operative, në vitin 2023 do të shpenzohen 1,000,000 euro (2%), në vitin 2024 – 2,502,573 euro (5%), në vitin 2025 – 3,013,727 euro (6%), në vitin 2026 – 2,913,727 euro (6%), në vitin 2027 – 3,243,602 (7%), në vitin 2028 – 4,595,785 euro (9%), në vitin 2029 – 6,507,718 euro (13%) dhe në vitin 2030 do të shpenzohen 25,330, 870 euro (52%).

E sa u përket investimeve në infrastrukturë, shpenzimet do të jenë si vijon: viti 2023 – 9,867,500 euro (5%), viti 2024 – 19,447,000 (10%), viti 2025 – 19,447,000 euro (10%), viti 2026 – 29,170,500 euro (14%), viti 2027 – 38,894,000 euro (19%), viti 2028 – 38,894,000 (19%), viti 2029 – 38,894,000 (19%), viti 2030 – 9,723,500 (5%).

Kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se 24 objekte sportive do të rinovohen/ndërtohen në këtë periudhë për ta organizuar sa më mirë këtë garë.

Lojërat Mesdhetare do të jenë ngjarja më e madhe e organizuar ndonjëherë në Kosovë, shkruan “Gazeta Express”.

Krahas prestigjit të organizimit të kësaj gare dhe të hyrave në vendin tonë gjatë periudhës kur do të mbahen Lojërat Mesdhetare, sporti kosovar do të përfitojë edhe për faktin se objektet sportive, të rinovuara apo të ndërtuara nga fillimi, do t’ju mbeten sportistëve për një periudhë afatgjate. /Gazeta Express/

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -