Sheshi “Xhorxh Bush” po shtrohet me pllaka spanjolle- Kontrata 18.4 milionëshe përmend gurët e Beratit e Gllarevës

- Advertisement -
- Advertisement -

Pas muajsh të tërë polemikash, përplasjesh politike dhe vonesash në realizim, Sheshi “Xhorxh Bush” në qendër të Prishtinës ka hyrë në fazën e shtrimit të pllakave të gurit. Projekti, me vlerë mbi 18 milionë euro, ishte ndër investimet më të diskutuara të Komunës së Prishtinës, duke u shndërruar në një arenë zënkash mes pushtetit lokal dhe atij qendror, por edhe objekt i kritikave nga Zyra Kombëtare e Auditimit, shkruan Kujdestari.info.

Tashmë, ndërsa punimet po avancojnë, ajo që bije në sy është materiali që po përdoret për shtrimin e sheshit.

Sipas dokumenteve të tenderit, Komuna e Prishtinës kishte paraparë furnizimin, transportin dhe montimin e pllakave të gurit të Lepenicës, Beratit, Gllarevës ose të ngjashme, me ngjyrë të bardhë, bezhë dhe hiri, në dimensione dhe trashësi të ndryshme. Formulimi “ose të ngjashme” nënkupton se operatori ekonomik kishte të drejtë të ofronte edhe materiale ekuivalente, me kusht që ato të përmbushnin specifikimet teknike të kërkuara.

Megjithatë, fotografitë e siguruara nga punishtja tregojnë se në kantier janë vendosur paleta me etiketa të kompanisë Eurobandas -The Granite Company, një kompani spanjolle e specializuar në përpunimin dhe eksportin e granitit natyror. Në etiketat e materialit shënohen emërtime si “Light Grey (Gris Alba)” dhe “Dark Grey (Negro Vigo)”, me përpunim Flamed, që përdoret zakonisht për sipërfaqe publike për shkak të rezistencës ndaj rrëshqitjes.

- Advertisement -

Eurobandas S.A. është një kompani spanjolle me seli në Tui, Pontevedra (Galicia, Spanjë), një prej rajoneve më të njohura të Evropës për industrinë e granitit. Kompania është themeluar në vitin 1976 (sipas historikut të publikuar në faqen zyrtare) dhe është e specializuar në prodhimin dhe furnizimin me pllaka, blloqe dhe elemente graniti për projekte infrastrukturore dhe ndërtimore.

Një element tjetër me interes janë edhe çmimet e kontraktuara. Për pozicionet që kanë të bëjnë me furnizimin dhe montimin e pllakave të gurit, kontrata parasheh çmime që variojnë sipas dimensioneve dhe llojit të materialit, ndërsa për disa prej pozicioneve vlera arrin deri në 220 euro për metër katror, duke e bërë gurin një nga elementet me peshën më të madhe financiare në realizimin e sheshit.

Projekti i Sheshit “Xhorxh Bush” nuk është përballur vetëm me zënka politike. Edhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar parregullsi gjatë procedurës së prokurimit. Në raportin e saj, Auditori ka konstatuar se kontrata ishte nënshkruar mbi vlerën e pakorrigjuar të ofertës fituese, ndonëse oferta përmbante gabime aritmetike që tejkalonin pragun e lejuar me ligj. Sipas ZKA-së, komisioni vlerësues nuk i kishte trajtuar këto gabime sipas dispozitave ligjore, duke bërë që kontrata të lidhej me një vlerë më të lartë sesa ajo që do të rezultonte pas korrigjimeve.

Nëse materiali që po vendoset në shesh është gur vendor apo granit i importuar, kjo mund të konfirmohet vetëm përmes dokumentacionit teknik të operatorit ekonomik, certifikatave të origjinës dhe aprovimeve të mbikëqyrësit të kontratës. Megjithatë, fotografitë nga kantieri dëshmojnë se në vendpunishte janë përdorur materiale të furnizuara nga kompania spanjolle Eurobandas, ndërsa dokumentet e tenderit kishin lënë të hapur mundësinë për përdorimin e materialeve ekuivalente krahas gurëve të përmendur në paramasë.

Në shkurt të vitit 2025, zyra e Prokurimit të Komunës së Prishtinës kishte nënshkruar kontratën për ndërtimin e sheshit Xhorxh Bush, i cili ndodhet në qendër të Prishtinës, mes Radio Kosovës dhe Katedrales, deri tek hoteli Grand.

Grupi i kompanive të përfshira në kontratë është përbërë nga SALILLARI, GJINI CONSTRUCTION SH.P.K. dhe Hidroterm SH.P.K. Në garë kanë qenë katër kompani, përfshirë të vetme dhe konzorciume, dhe nuk ka pasur ankesa gjatë procesit të rekomandimit të këtij grupi për kontratën.

“Gjini Construction” dhe “Hidroterm”. Të dyja këto kompani janë të lidhura me familjarë të Blerim Kuçit, ish-kryetar i Suharekës nga AAK-ja, i cili vjet ka kaluar në LDK.  Pronar i “Gjini Construction” sh.p.k  është kompania “Hidroterm Holding”. /Kujdestari.info/

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -