Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se Ukë Rugova, djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, do të jetë pjesë e listës së LDK-së për deputet.
I pari i LDK-së i ka uruar sukses djalit të ish-presidentit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Abdixhiku ka shkruar se kjo kandidaturë e nderon LDK-në.
“Në ditëlindjen e Presidentit Rugova, pranova me nderimin më të madh kërkesën e Familjes Rugova që Ukë Ibrahim Rugova të jetë pjesë e listës sonë zgjedhore.
Sot, në 81-vjetorin e lindjes së arkitektit dhe prijësit tonë, vizitova zonjën Fana dhe Familjen Rugova. Në këtë vizitë zyrtarizuam dhe përfshirjen e Ukës në garën e radhës. Ukë, të priftë e mbara në këtë garë.
Me zonjën Fana biseduam edhe për rrugën e filluar tre dekada më parë; për sakrificat e heshtura që e ndoqën; për vendosmërinë që nuk u thye asnjëherë, edhe kur Kosova ishte në udhëkryqin më të rrezikshëm të historisë së saj moderne.
Dhe sot, kur shteti ynë përballet me sfida të reja, mesazhi i Rugovës mbetet po ai: forcë paqësore, përkushtim demokratik, orientim të pandryshuar drejt botës perëndimore”, ka shkruar Abdixhiku.
