Spanja planifikon që të dërgojë raketa të sistemit “Patriot” dhe tanke gjermane “Leopard” në Ukrainë si pjesë e një pakoje të ndihmave ushtarake me vlerë të 1,13 miliard eurosh që e njoftoi muajin e kaluar, raportoi të hënën gazeta “El Pais”, duke cituar burime të paidentifikuara të afërta me këtë plan.
Spanja do t’i japë Ukrainës më shumë se 12 raketa të sistemit “Patriot” për mbrojtje ajrore dhe 19 tanke të përdorura të prodhimit gjerman, “Leopard 2A4”, si dhe armë të tjera të prodhimit spanjoll, si pajisjet kundër dronëve dhe municioni, raportoi gazeta spanjolle, përcjell agjencia“Reuters”.
Zotimi i ri për dhurimin e këtyre armëve do të njoftohet gjatë një vizite zyrtare të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të hënën në Madrid, ku do të takohet me Mbretin Felipe dhe me kryeministrin Pedro Sanchez, thuhet më tej në raportimin e të përditshmes së njohur spanjolle.
Zëdhënësit e Sanchez-it refuzuan që ta komentonin raportimin e gazetës “El Pais”.
Zelensky kishte planifikuar që vizitën në Spanjë ta zhvillonte para disa ditëve, por atë e anuloi në momentet e fundit. Thuhet se anulimi i vizitës u bë për shkak të zhvillimeve në Ukrainë, ku forcat ruse po zhvillojnë ofensivë në verilindje të vendit, duke arritur që të depërtojnë në disa fshatra.