Amina Nuraj ka reaguar pas një incidenti në Mitrovicën e Jugut, ku disa studentë nga Sanxhaku pretendojnë se u sulmuan dhe u provokuan, duke bërë thirrje për respekt dhe siguri ndaj vizitorëve.
Ajo i kërkon Policisë së Kosovës më shumë prani në terren dhe thekson se qytetarët nga Sanxhaku duhet të ndihen të mirëpritur në Kosovë, duke promovuar mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë.
Postimi i plotë:
Kosovo Police
Para një muaji, një grup të rinjsh nga Sanxhaku – studentë që studiojnë në veri – ishin në Mitrovicën e Jugut, ku, sipas rrëfimit të tyre, u sulmuan nga një i ri. Si pasojë e sulmit, njëri prej tyre pësoi lëndime në kokë.
Sipas fjalëve të tyre, nga kafenetë përreth dolën edhe disa të rinj të tjerë, të cilët i fyen dhe i provokuan. Ata nuk e dinin gjuhën shqipe dhe nuk arritën t’u shpjegonin se ishin nga Sanxhaku. Nga frika, u detyruan të largoheshin.
Duke biseduar me njërin prej tyre, ai më tha se ata preferojnë të vijnë në jug të Kosovës dhe të shpenzojnë paratë e tyre te bizneset e shqiptarëve, sesa në lokalet e veriut.
Prandaj, u bëj thirrje të rinjve, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, që ta kuptojnë se njerëzit nga Sanxhaku e duan Kosovën dhe vijnë me respekt e dashuri. Shumë prej tyre nuk e flasin gjuhën shqipe dhe kjo nuk duhet të jetë arsye për t’u fyer apo sulmuar.
Po ashtu, i bëj thirrje Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut që të ketë prani më të madhe në terren dhe të reagojë me kohë ndaj çdo incidenti. Askush nuk duhet të lejohet që, nën ndikimin e alkoolit apo për sjellje huligane, të sulmojë studentë apo qytetarë të pafajshëm.
Ne jemi një popull me histori, gjak dhe lidhje të përbashkëta. Vizitorët nga Sanxhaku duhet të ndihen të mirëpritur dhe të sigurt në Kosovë, ashtu siç ne dëshirojmë të ndihemi të mirëpritur kudo. Le të ndërtojmë ura mirëkuptimi dhe respekti mes njëri-tjetrit, jo urrejtje e përçarje.