Gjatë fjalës së tij para trupit gjykues në Hagë, avokati i mbrojtjes, Luka Mishetiq, ka deklaruar se Hashim Thaçi nuk ka qenë në Kosovë për një pjesë të madhe të periudhës që përfshihet në aktakuzë.
Sipas tij, nuk ekzistojnë prova që Thaçi të ketë marrë pjesë në takimet e Shtabit të Përgjithshëm gjatë asaj kohe.
“Prokuroria përpiqet që ta anashkalojë problemin e mungesës së zotit Thaçi në Kosovë, duke argumentuar se anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm janë konsultuar përmes telefonit apo janë njoftuar më pas lidhur me rezultatet e takimeve të Shtabit të Përgjithshëm”, ka thënë Mishetiq.
Ai ka theksuar se, sipas mbrojtjes, pretendimet për komunikime telefonike apo informime të mëvonshme nuk përbëjnë dëshmi të mjaftueshme për të vërtetuar përfshirje direkte në vendimmarrje.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së po vazhdon me paraqitjen e deklaratave përmbyllëse, ndërsa mbrojtja dhe prokuroria po përballen me argumentet e tyre përfundimtare para vendimit të shkallës së parë.
