Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me rrezikun e armëve bërthamore dhe mbështetjen për politikën e ShBA-ve dhe BE-së kundër programit bërthamor të Iranit. Me këtë deklaratë, ai thekson nevojën për më pak armatim bërthamor dhe angazhimin për sigurinë ndërkombëtare.
Kjo deklaratë pasqyron qëndrimin e tij të qartë për orientimin euro-atlantik të Kosovës, duke e cilësuar ShBA-në si aleatin kryesor dhe partner të pazëvendësueshëm. Përmes kësaj qasjeje, Kurti vazhdon të afirmojë përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Postimi i plotë:
Siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin. Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese.
Republika e Kosovës përkrah qëndrimin e ShBA-ve dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare.
ShBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special. Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. ShBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur.
