12.3 C
Pristina
E mërkurë, 9 Tetor, 2024

“Jeni zotët e kësaj shtëpie”, Rama mbledh mijëra shqiptarë në Athinë, i çon “të fala” Greqisë

- Advertisement -

Nën masa drakoniane sigurie shkoi në vizitë në vendin fqinj. Kryeministri i Shqipërisë iu tha se janë “zotët e barabartë të kësaj shtëpie”, disa mijëra shqiptarëve që u mblodhën sot në Athinë. Edi Rama i çoi “të fala” Greqisë, me të cilën marrëdhëniet s’i ka fort të mira. Ai e përmendi edhe çështjen e Çamërisë, ndërsa shqiptarëve iu tha “mos e harroni kurrë: me ligj dhe me zakon, Greqia është sot edhe e juaja po aq sa është e vetë grekëve”.

- Advertisement -

Mijëra emigrantë shqiptarë, që tash jetojnë në Greqi, që herët sot nisën të mblidheshin në një pallat të madh sporti në Athinë për ta pritur kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Në një periudhë ku marrëdhëniet ndërshtetërore nuk janë në gjendjen më të mirë, nga kryeministri shqiptar të pranishmit do të dëgjonin mesazhe të forta, për historinë mes dy vendeve, por edhe për të tashmen.

- Advertisement -

Fjalimin në tubimin që në Greqi u cilësua edhe si provokim, Rama e nisi duke folur për shqiptarët, të pranishmit në pallatin e sportit “Galatsi” dhe të tjerët që jetojnë e jetuan në vendin fqinj.

“Jeni bërë shëmbëlltyra e krenarisë së atdheut tonë në këtë pjesë të Europës”, tha Rama, duke theksuar se shqiptarët nuk janë më “shërbëtorë” atje, por “zotët e barabartë të kësaj shtëpie”.

“Jeni bërë shëmbëlltyra e krenarisë së atdheut tonë në këtë pjesë të Europës. Disa këtu në Greqi u çuditën, të tjerë u mërzitën, ndonjë edhe tha se unë nuk duhet të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar ata do të kuptojnë që unë nuk kam ardhur që të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm, por kam ardhur që të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie”, tha ai.

- Advertisement -

Rama kujtoi se ç’heqën shqiptarët në rrugën e emigrimit në Greqi, ndërsa e preku jodirekt edhe çështjen çame.

“Ju vëllezër dhe motra kapërcyet male, dolët pa dalë drita për të pritur nëpër sheshe, gjakosët duart dhe dërrmuat kurrizin me punët më të rënda. U përballët me gjithëfarë shprehjesh brutale të arrogancës së fqinjit të pasur ndaj komshiut të varfër. Bëtë nga dy a tre punë, me ditën që nuk mbaronte, duke u zbutur urinë me një pjatë në ditë, për t’i vënë mënjanë lekët e dy vakteve të pangrëna, përjtuat poshtrimin e fshesave të zeza të fundshekullit të ’20, kur ju shkulnin nga shtëpitë me rrobat e trupit nëpër natë për t’ju deprtuar në Shqipëri, si në një film të ri të një kohe shumë të vjetër të shpërnguljeve me përdhunë të paraardhësve tanë nga shtëpitë e tyre në veriun e Greqisë”, tha Rama.

“Shumë nga ju ndërruat emrat që ju kishte vënë nëna dhe baba për të marrë dokumentat e punës dhe regjistruar fëmijët në shkollë. Ju shqiptarët e Greqisë e patë fëmiëjën të mbytej në lot se kishte dalë më i miri në shkollë, por nuk iu dha e drejta e ceremonisë së flamurit. Dhe faji i fëmijës ishte se kishte ardhur nga foleja e shqipes dy krenare dhe nuk kishte lindur nën mbrojtjen e kryqit të bardhe. Por, ja ku jeni, ju shqiptarët e Greqisë nuk u dorëzuat kurrë dhe triumfuat”, shtoi kryeministri shqiptar, që si rrallëherë, fliste me një ton shumë të lartë.

Rama iu tha shqiptarëve se “janë “me ligj dhe me zakon”, Greqinë e kanë të tyren po aq sa vetë grekët.

“Sepse ju jeni gjaku dhe shpirti i një kombi që çfarë nuk pa dhe çfarë nuk hoqi nën këtë qiell, por asnjë fuqi apo padrejtësi e kësaj bote nuk e zhbëri dot nga faqja e këtij dheu. Hap pas hapi ju dolët nga errësira e mbijetesës si rezidentë të damkosur të këtij vendi, në dritën e jetës si qyetarë të barabartë të këtij shteti. Me vlerat tuaja të fjalës së dhënë, të punës së mbarurar, të korrektesës ndaj të huajit, ju arritët të mos jeni më të huaj në këtë vend. Ju i bëtë vetes vendin tuaj në shoqërinë greke, duke fituar respektin e punëdhënsëit, besimin e fqinjit dhe dinjitetit e një njeriut të lirë në një vend demokratik. Ju erdhët, luftuat, fituat. Dhe mos e harroni kurrë: me ligj dhe me zakon, Greqia është sot edhe e juaja po aq sa është e vetë grekëve. Bashkë me grekët, ju shqiptarët jeni europianët e Greqisë”, tha Rama.

Mesazhe Greqisë: Të fala nga unë dhe shqiptarët

“Ne me sllavët e me grekët, me të gjithë fqinjët tanë, duam të rrojmë ngaherë me harmoni, si vëllezër, veç e drejta e secilit gjithnjë të respektohet”, tha kryeministri Edi Rama, i cili me vargjet e Naimt Frashërit, të shkruara në gjuhën greke, zgjodhi që t’i përcillte mesazhe homologut të tij Kyriakos Mitsotakis.

“Dëshiroj që edhe në emrin tuaj t’i lë një pusullë mikut tim të zgjedhur nga populli i këtij vendi për ta udhëhequr Greqinë, kryeministrit Mitsotakis: në vitin 1886 poeti ynë Naim Frashëri shkruajti në greqisht vjershën e tij ‘Dëshira e vërtetë e shqiptarëve’: Dua me të gjithë fqinjët me rend e paqe të jetojmë, le të mos bëhemi armiq e të zihemi, shumë të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë”, tha Rama.

Në mbi një orë fjalim, Rama i çoi mesazhe të forta Greqisë, që e pa si provokim vizitën në 1-vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit. Kryeministri shqiptar tha diçka dhe për këtë, pa përmendur emra.

“Ama kurrë asnjë rast një grek etnik në shqiptarinë e 10 viteve të fundit nuk ka pasur asnjë hall apo problem për shkak të kombësisë së tij, kurrë. Në asnjë rast grekëve etnik nuk i është mohuar e drejta e tyre e besimit, e gjuhës, e pronës, kurrë. Asnjëherë në asnjë rast, qytetarëve grek të Shqipërisë nuk i është mohuar e drejta e votës apo e zgjedhjes”, tha Rama.

Ai tha se “duket sikur mezi presim të djegim jorganin për një plesht”.

Akuzat për vjedhjen e pronave të minoritetit grek në Himarë, kreu i qeverisë shqiptare u kujdes t’i komentonte duke thënë se ky nuk është një problem që po përballet vetëm ky minoritet, por i gjithë shqiptarëve.

“Nuk i është mohuar as e drejta e pronës. Prona është një problem për shqiptarët e Shqipërisë dhe jo vetëm për grekët në Shqipëri”, tha ai.

“Shfuqizojeni ligjin absurd të luftës”

Rama i kërkoi Greqisë shfuqizimin e ligjit të luftës, duke e konsideruar si një absurd, që duhet ta gjejë një zgjidhje sa më shpejt.

“Rri akoma në fuqi ligji i luftës se Greqisë me Shqipërinë, ai ligj i 10 nëntor 1940, përcakton ç’bëhet me pronat dhe me shtetasit e vendeve në gjendje lufte, në 1947 Greqia ratifikon traktatin e paqes me Italinë ndërsa me Shqipërinë dekreti i ligjit të luftës dhe pasojat e ligjit të luftës mbeten në fuqi, sot e gjithë ditën, edhe pse në 1998 kanë miratuar traktatin e miqësisë. Po si ka mundësi mes 2 shteteve që kanë nënshkruan një traktat miqësie, që janë bashkë në ANTO të mos jetë shfuqizuar gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të shfuqizuar 84 vite më parë”, tha Rama.

“Në këto vite unë dhe qeveria jonë jemi përpjekur që ky absurditet të largohet nga tryeza e marrëdhënieve tona, gjithashtu jemi përpjekur që t’i adresojmë sa më drejtë, me mirëkuptim të gjitha çështjet e mbetura mes 2 shteteve sepse unë jam i bindur se nëse kanë vullnet të mirë të gjitha çështjet mund të zgjidhen pa kaluar 84 vite të tjera”, tha ai.

Rama mbërriti në Athinë sot, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda dhe disa ministra e zëvendësministra.

Ndonëse nuk pati takime ndërshtetërore, Greqisë iu desh t’i vinte në dispozicion policët dhe automjete të blinduara për sigurinë e kryeministrit shqiptar. Mediat greke raportuan për “masa drakoniane sigurie” për këtë vizitë.

Kjo ngjarje do të jetë e para në një tur që kryeministri Edi Rama e ka nisur për t’u takuar me diasporën shqiptare. Pas Athinës, ai do të shkojë në Milano, Londër e Dusseldorf.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -