Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, po vazhdon të sjellë pakënaqësi e përplasje përbrenda LDK-së. Së fundmi, nga krahu i Përparim Ramës kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të partisë, Lumir Abdixhiku.
Është Bajram Gecaj ai i cili ka shkruar se LDK-ja ka nevojë për “dorëheqje përnime” dhe lidership të ri.
Gecaj tashmë disa herë publikisht ka dalë në përkrahje të punës së Përparim Ramës në nivelin lokal, duke shkruar se duhet të merret si shembull edhe për ndërtimin e strategjisë për rikthimin e LDK-së.
Gecaj në postimin e fundit, ka thënë se Abdixhiku duhet të hapë rrugë për zgjedhjen e një lideri të ri të partisë.
“Unë i përkas atij eshaloni njerëzish që kanë besuar fuqishëm në lidershipin e Lumir Abdixhikut dhe që e kemi përkrahur me bindje të plotë, edhe atëherë kur shumë qendrestarë na thoshin se po gabonim. Sot ka ardhur momenti ta falënderojmë për mundin, përkushtimin dhe kontributin e tij, dhe në mënyrën më qytetare e më dinjitoze t’i kërkojmë të hapë rrugë për provën tonë të radhës, zgjedhjen e një lideri të ri”, ka shkruar Gecaj ndër të tjera.
Postimi i plotë:
DORËHEQJE PËRNIME …
… dhe fillim i procesit për zgjedhjen e lidershipit të ri. Në fakt, këto zgjedhje dëshmuan se ky proces është dashur të nisë që në Kuvendin e 31 janarit. Megjithatë, për procese të mira dhe të nevojshme asnjëherë nuk është vonë.
Unë i përkas atij eshaloni njerëzish që kanë besuar fuqishëm në lidershipin e Lumir Abdixhikut dhe që e kemi përkrahur me bindje të plotë, edhe atëherë kur shumë qendrestarë na thoshin se po gabonim. Sot ka ardhur momenti ta falënderojmë për mundin, përkushtimin dhe kontributin e tij, dhe në mënyrën më qytetare e më dinjitoze t’i kërkojmë të hapë rrugë për provën tonë të radhës, zgjedhjen e një lideri të ri.
Edhe unë personalisht e kam provuar dy herë garën parlamentare. Herën e parë isha shumë afër, ndërsa herën e dytë pak më larg. Megjithatë, reflektova dhe vendosa të mos hyj më në garë, ndonëse dega ime më kishte ofruar përsëri kandidimin dhe dëshira ime për t’u zgjedhur deputet ishte e madhe. Doja të përballesha fuqishëm me gjithë atë orkestër servilësh në Kuvendin e Kosovës. Por populli thotë se “nuk ka gjë më të mençur sesa t’ia dish takatin vetes.”
AAK-ja asnjëherë nuk ka kaluar në vendin e parë apo të dytë dhe si e tillë është pajtuar me pozitën e tretë apo të katërt. Por ne nuk mund të pajtohemi me këtë realitet, sepse ne jemi Lidhja Demokratike e Kosovës. Jemi partia e parë demokratike në Evropën Lindore dhe këtë duhet ta dëshmojmë vazhdimisht.
Koha dhe rrethanat kërkojnë nga ne të ndërtojmë një proces dinjitoz: ta përcjellim me respekt lidershipin e kaluar dhe ta zgjedhim me vizion, energji dhe besim lidershipin e ri. Vetëm kështu mund ta rikthejmë LDK-në aty ku e ka vendin, në ballë të besimit qytetar dhe të udhëheqjes së shtetit.
