Rrëfimi për mësuesin që dha jetën për lirinë e Kosovës

- Advertisement -
- Advertisement -

Jeta dhe sakrifica e Shyt Hasanajt, Mësuesit të
Kombit”

Shyt Hasanaj u lind më 30 mars 1954. Arsimin fillor, të mesëm dhe shkollën e lartë i përfundoi në Gjakovë, duke u diplomuar në gjuhë dhe letërsi shqipe. Pas diplomimit, ai filloi punën si mësimdhënës në shkollën fillore të Novosellës, për të vazhduar më pas në Demjan, dhe në vitin 1984 u transferua në shkollën “Ardhmëria” në Ramoc, Gjakovë.

Shyti ishte një nga mësimdhënësit më të dashur dhe të respektuar të asaj kohe, i njohur për korrektësinë dhe përkushtimin ndaj brezave të rinj. Përveç kontributit të tij në arsim, ai luajti një rol të rëndësishëm në mbështetjen e komunitetit, duke ndihmuar në ndërtimin e shkollës në fshatin Meje, në sigurimin e ujësjellësit dhe energjisë elektrike për banorët, si dhe në aktivitete patriotike. Ai ishte i angazhuar për organizimin dhe motivimin e të rinjve për të ndihmuar Kosovën të çlirohej nga robëria.

Angazhimi i tij patriotik nuk kaloi pa vëmendjen e pushtetit të atëhershëm serb, i cili e thirri disa herë në të ashtuquajturin sekretariat, duke e akuzuar për mbajtje të paligjshme të armëve dhe për organizim të aktiviteteve të konsideruara “kriminale” nga regjimi.

Më 27 prill 1999, në një rrethim të jashtëzakonshëm nga ushtria dhe policia serbe, forcat serbe hynë me dhunë në shtëpinë e tij në orët e hershme të mëngjesit. Aty, në sy të fëmijëve dhe familjes, Shyt Hasanaj, babai i tij Gjoni dhe djali i tij 16-vjeçar, Luani, u ekzekutuan mizorisht. Trupat e tyre u masakruan dhe më pas u zhvendosën në Batajnicë të Serbisë, ku mbetën të paidentifikuar deri në maj të vitit 2003.

Në maj të vitit 2003, eshtrat e tyre u kthyen në Kosovë dhe u varrosën me nderime në vendlindje. Shyt Hasanaj, i njohur si “Mësuesi Shyt,” dha jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai mbetet një simbol i qëndresës dhe sakrificës për lirinë që gëzojmë sot.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -