Pas dorëheqjes nga Prokuroria, Jeton Koca shpërblehet me tender rreth 20 mijë euro nga Komuna e Prizrenit

- Advertisement -
- Advertisement -

Vetëm pak javë pasi dha dorëheqje nga pozita e Prokurorit të Shtetit, Jeton Koca është shpërblyer me një kontratë publike me vlerë rreth 20 mijë euro nga Komuna e Prizrenit, e udhëhequr nga kryetari Shaqir Totaj, shkruan Kujdestari.info.

Bëhet fjalë për aktivitetin e prokurimit me numër 622-26-2071-2-2-1, përmes të cilit Komuna e Prizrenit ka angazhuar Kocën si ekspert individual për hartimin e rregullores për organizimin e brendshëm, sistematizimin dhe klasifikimin e vendeve të punës në komunën e Prizrenit, si dhe Statutit të QKMF-së në këtë komunë.

Sipas dokumenteve zyrtare të prokurimit, kontrata në vlerë prej 19 mijë e 800 euro i është dhënë Jeton Kocës më 15 maj 2026, vetëm pak kohë pasi ai ishte larguar nga sistemi prokurorial.

Kujtojmë se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte njoftuar se më 13 shkurt 2026 kishte pranuar dorëheqjen e Kocës nga pozita e prokurorit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërsa arsyet për largimin ishin cilësuar si “personale” dhe nuk ishin bërë publike.

- Advertisement -

Në garë për këtë tender kanë qenë tre ofertues, mirëpo Komuna e Prizrenit ka vendosur ta shpërblejë pikërisht ish-prokurorin.

Përveç Jeton Kocës, në këtë aktivitet prokurimi kanë ofertuar edhe Visar Morina, me ofertë prej 17 mijë e 496 euro, si dhe kompania TOCA Liber SH.P.K, me ofertë prej 19 mijë e 600 euro.

Megjithëse kishte ofertues me çmime më të ulëta, Komuna e Prizrenit e ka shpallur fitues Jeton Kocën, duke e vlerësuar si operatorin ekonomik më të përgjegjshëm, me gjithsej 94.67 pikë në procesin e vlerësimit.

Tenderi ka të bëjë me një proces të ndjeshëm administrativ për komunën, ristrukturimin institucional dhe sistematizimin e vendeve të punës, që përfshin hartimin e rregulloreve të brendshme organizative dhe dokumenteve statutare për sektorin e kujdesit parësor shëndetësor në Prizren.

Dokumentet tregojnë se data e planifikuar për nënshkrimin e kontratës ishte 2 qershor 2026, ndërsa kontrata është klasifikuar si angazhim i ekspertit individual.

Para emërimit si prokuror, Koca kishte shërbyer si kryetar i Komisionit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës gjatë periudhës 2021–2023, ndërsa më herët kishte punuar në Kuvendin e Kosovës, Institucionin e Avokatit të Popullit dhe për më shumë se një dekadë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, në çështje ligjore dhe menaxhim të burimeve njerëzore. /Kujdestari.info/

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -