Kryetari i AAK-së Ardian Gjini, ka njoftuar se i ka kthyer përgjigje zyrtare kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke ia bërë të ditur se nuk e sheh të nevojshëm takimin e ftuar prej tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjini ka bërë publike gatishmërinë për transparencë, ndërsa ka ritheksuar se pozicioni i AAK-së lidhur me proceset e fundit politike mbetet i palëkundur.
“Për hir të transparencës ndaj qytetarëve, po e ndaj me ju përgjigjen zyrtare të Aleancës që sapo i është nisur Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti. Qëndrimi ynë mbetet ai i datës 26 qershor, i qartë, parimor dhe tërësisht publik”, ka shkruar Gjini.
Gjini ka bërë të qartë se subjekt i referencës për veprimet e mëtutjeshme të Aleancës mbetet ekskluzivisht qëndrimi zyrtar i shpallur më 26 qershor.

