Kur Deniz Undav shënoi dy gola dhe i siguroi Gjermanisë kualifikimin në fazën tjetër të Kupës së Botës 2026, miliona tifozë festuan një nga heronjtë e rinj të “Die Mannschaft”. Por pak vite më parë, askush nuk do ta kishte imagjinuar një histori të tillë. Madje, as vetë ai.
Historia e tij është për filma, mes ligave të ulëta, largimeve nga klubet, deri te shkëlqimi te Stuttgart dhe Gjermania.
“Kur isha 18 ose 19 vjeç, nuk besoja se do t’ia dilja. Edhe sot ndonjëherë më duket si ëndërr”, kishte pranuar sulmuesi gjerman me prejardhje kurde.

Historia e tij nuk nisi në stadiume të mbushura apo në akademi prestigjioze, por në fushat e kategorive të ulëta të futbollit gjerman, aty ku ëndrrat shpesh shuhet përpara se të marrin formë.
“Fundi” i një ëndrre në moshën 16-vjeçare
Si fëmijë, Undav iu bashkua akademisë së Werder Bremenit dhe ëndërronte të bëhej futbollist profesionist. Megjithatë, në moshën 16-vjeçare, klubi vendosi ta largonte, duke e konsideruar fizikisht të pazhvilluar për nivelin që kërkohej.
Vendimi ishte një goditje e rëndë për të.
“Kjo më dhembi vërtet. Sidomos sepse isha një djalë nga rajoni i Bremenit. M’u deshën disa ditë për ta pranuar, por më pas vendosa të shikoja përpara”, ka kujtuar ai.
Megjithatë, periudha më e vështirë do të vinte pak vite më vonë. Pavarësisht se vazhdonte të shënonte gola në kategoritë e ulëta, ofertat nuk vinin dhe karriera e tij dukej e bllokuar.
Në moshën 19-vjeçare, ai mendoi seriozisht të hiqte dorë nga futbolli.
“Thjesht nuk doja më. I thashë vetes se nuk kishte kuptim. Gjithmonë shënoja gola, por a
skush nuk më jepte një shans”, tregon ai.
Babai dhe xhaxhai që e bindën të mos dorëzohej
Në momentin më të vështirë të jetës së tij sportive, rolin vendimtar e luajtën babai dhe xhaxhai i tij.
“Falë këshillave të tyre vazhdova. Po të isha dorëzuar atëherë, ndoshta sot do të punoja në ndonjë kompani dhe do të bëja një jetë krejt normale”, tregon sulmuesi.
Në ato vite, futbolli nuk mjaftonte për të siguruar jetesën. Undav punonte si operator makinerish me lazer gjatë ditës, ndërsa mbrëmjeve stërvitej dhe luante futboll.
Ai kaloi nëpër skuadra si TSV Havelse, Eintracht Braunschweig II dhe Meppen, duke mbetur për vite të tëra pjesë e futbollit gjysmë-profesionist dhe kategorive të ulëta gjermane.

Debutimi profesional vetëm në moshën 23-vjeçare
Ndryshe nga shumica e futbollistëve që shpërthejnë në adoleshencë, Undav debutoi në futbollin profesionist vetëm në moshën 23-vjeçare.
Deri atëherë, ëndrra për të luajtur në nivelet më të larta dukej pothuajse e pamundur. Vështirësitë financiare ishin të mëdha dhe ai detyrohej të jetonte me shumë pak para.
“Duhej të mbijetoja me 100 euro në muaj. Në fund të muajit haja vetëm bukë të thekur me sallatë lakre. Kur kisha pak më shumë para, shtoja edhe majonezë”.

Për të siguruar disa euro shtesë, ai mblidhte dhe kthente shishe plastike.
“Edhe sot nuk e humbas respektin për paranë, sepse e di si është të mos kesh”, vazhdon ai.
Ish-trajneri i tij, Jens Janssen, kujton se Undav nuk ishte lojtari më disiplinuar, por kishte një instinkt të jashtëzakonshëm për golin.
“Ishte i vogël, i fortë dhe pak dembel. Vrapimi nuk ishte pika e tij më e fortë, por kishte talent të jashtëzakonshëm. Gjithmonë donte të shënonte”.
Madje, kur trajneri i kërkonte të pasonte më shpesh, përgjigjja e tij ishte gjithmonë e njëjtë: “Ja ku është porta, topi duhet të shkojë atje”.

Telefonata që i ndryshoi jetën
Në vitin 2020 erdhi momenti që ndryshoi gjithçka. Klubi belg Union Saint-Gilloise, që në atë kohë luante në kategorinë e dytë, vendosi t’i besonte sulmuesit që shumica e klubeve nuk e konsideronin një talent të madh.
Ky ishte fillimi i historisë së tij të suksesit. Në sezonin e parë ai realizoi 17 gola dhe ndihmoi Unionin të rikthehej në elitën e futbollit belg pas 48 vitesh mungesë.
Një vit më vonë shpërtheu plotësisht. Shënoi 27 gola dhe regjistroi 13 asistime, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i kampionatit belg dhe duke e afruar skuadrën pranë titullit kampion.
Megjithatë, edhe atëherë ai nuk e imagjinonte se do të arrinte në nivelet më të larta të futbollit evropian.
“Sinqerisht, nuk mendoja se do të luaja ndonjëherë në Ligën Premier ose Bundesliga. Gjithçka më dukej shumë larg”, ka thënë Undav.

Nga Brighton te Bundesliga
Paraqitjet e tij bindën Brightonin të investonte rreth 7 milionë euro për transferimin e tij në verën e vitit 2022.
Karriera e tij vazhdoi të ngjitej me shpejtësi. Pas një sezoni të shkëlqyer si i huazuar te Stuttgarti, klubi gjerman vendosi ta blinte për rreth 27 milionë euro, duke e bërë një nga transferimet më të kushtueshme në historinë e klubit.
Nga një futbollist që dikur mezi siguronte ushqimin e muajit, Undav u shndërrua në një nga sulmuesit më të vlerësuar të Bundesligës.

Gruaja që e ndihmoi të bëhej profesionist i vërtetë
Vetë futbollisti pranon se një rol të madh në transformimin e tij e ka luajtur bashkëshortja e tij, Tanja.
“Para se ta njihja, nuk jetoja si profesionist. Haja çfarë të doja, flija vonë dhe nuk kujdesesha sa duhet për veten. Ajo më vendosi në rrugën e duhur”.
Sipas tij, mbështetja që merr në familje është një nga arsyet kryesore të suksesit.
“Kur kthehem në shtëpi, e di se kam dikë tek i cili mund të besoj plotësisht. Kjo është shumë e rëndësishme për mua”.

Heroi i ri i Gjermanisë
Sot, në moshën 29-vjeçare, Deniz Undav është një nga emrat më të rëndësishëm të kombëtares gjermane dhe heroi i kualifikimit të saj në fazën tjetër të Kupës së Botës. Në ndeshjen e parë ndaj Curacaos, ai u fut nga stoli, gjeti golin dhe shtoi edhe dy asistime.
Sot ndaj Bregut të Fildisht, ekipi i tij ishte në vështirësi dhe duke humbur, por me tu futur në lojë shënoi dy herë, duke ia siguruar kualifikimin Gjermanisë në fazën tjetër.
Por historia e tij nuk matet me golat, milionat apo duartrokitjet.
Ajo matet me sakrificat e një djali që jetonte me 100 euro në muaj, që mendoi të hiqte dorë nga futbolli dhe që për vite të tëra luajti larg vëmendjes së publikut.
Sot ai është prova se talenti ka nevojë për durim, ndërsa ëndrrat më të mëdha shpesh u përkasin atyre që refuzojnë të dorëzohen, edhe kur askush tjetër nuk beson tek ata. /Telegrafi