Big Brother VIP Kosova që nga edicioni i parë ka shpërfaqur antivlera, por ka qenë shumë i ndjekur.
Ky spektakël gjigant, që ka mbledhur në një shtëpi emra të njohur nga fusha të ndryshme të artit, medias dhe sportit, ka sjellë për publikun emocione të perziera, skena të gërditshme, lot, surpriza, tension, dhimbje e gëzim.
Interesimi për të qenë pjesë e shtëpisë më të madhe në vend është më i madh se kurrë, duke pasur parasysh ndikimin dhe famën që ky spektakël sjell për konkurrentët e tij.
Së fundmi, diçka e pazakontë është paralajmëruar të ndodhë.
Këngëtari i muzikës popullore, Labinot Rexha, ka bërë të ditur se po planifikon të organizojë një protestë, vetëm e vetëm për të qenë pjesë e Big Brother VIP Kosova.
Në Facebook, ai ka ftuar ndjekësit e tij të jenë pjesë e protestës e cila, sipas tij, do të mbahet nesër në ora 11:00 para shtëpisë më të famshme në vend.
Kjo thirrje e tij ka bërë që shumë përdorues të rrjeteve sociale të ironizojnë me situatën, pasi siç shkruhet në shumë komente, ai ka shumë për të thënë.
Edhe pse ende nuk është bërë publike data zyrtare e fillimit të edicionit të katërt, në rrjete sociale tashmë kanë nisur të qarkullojnë emra të shumtë të personazheve publike që mund të jenë pjesë e shtëpisë më të famshme në vend.
