Konstituimi i institucioneve dhe çështja e presidentit, flet Kurti

- Advertisement -
- Advertisement -

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka folur lidhur me konstituimin e institucioneve pas përmbylljes së procesit të numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kurti në një deklaratë për gazetarë theksoi se pas certifikimit të rezultateve, prioritet do të jetë konstituimi i institucioneve, ndërsa tha se për presidentin nevojitet bashkëpunim me opozitën.

“…Tash është duke u përmbyllur procesi i numërimit të të gjitha votave, andaj le të presim këto ditë. Nuk e di a do të ketë ankesa, bëhet certifikimi, dhe natyrisht që ne jemi të interesuar që pa humbur kohë të hyjmë në fazën e ardhshme që është konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të, sa më shpejt aq më mirë…”, u shpreh ai.

Tutje, kryeministri në detyrë tha se për zgjidhjen e presidentit nevojiten 80 deputetë në sallë në mënyrë që të bëhet kuorumi.

“…Por, natyrisht ju e dini që për çështjen e presidentit, zgjedhjes së presidentit ose presidentes, ne këtë nuk mund ta bëjmë vetëm, për shkak se nevojiten 80 veta aty në sallë në kuorum, në bazë të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, që t’ju them të drejtën ka pasur shumë interpretime kritike, kredibile, sepse ne e dimë që Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej ta rishkruajë Kushtetutën, as ta amandamentojë atë, por do të duhej vetëm ta interpretojë”, tha ai.

- Advertisement -

“…Dhe ne kemi pasur shumë shembuj kur kemi pasur një lloj aktivizmi juridik. Por, ndodhemi tash në këtë rrethanë dhe neve na duhet bashkëpunimi. Ne do të përpiqemi për sa më shumë bashkëpunim me opozitën sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes”, u shpreh Kurti.

Kryeministri në detyrë duke iu referuar ngërçit politik, tha se nga LVV nuk kanë munguar ofertat në të kaluarën.

“Nuk kanë munguar ofertat në të kaluarën nga ana jonë. Qasja jonë është konstruktive, është kreative, është aktive, por shpresoj që kësaj radhe do të ndryshojë qasja e opozitës dhe propozimeve tona, sikurse herën e kaluar që iu përgjigjën me refuzime, nuk do të kenë më pjesë të identitetit që na bëri t’i quajmë bllok opozitar. Sepse e keni parasysh, ofruam bashkëqeverisje, thanë jo. Domethënë, me 15 deputetë ofruam katër ministri dhe zëvendëskryeministrin, refuzuan…”, tha ndër të tjera Kurti.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -