ZKA ngre alarmin për Prizrenin: Mbi 3.8 milionë euro pagesa përmbarimore pa dokumentacion të plotë

- Advertisement -
- Advertisement -

Një nga gjetjet më serioze të evidentuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2025 për Komunën e Prizrenit, e udhëhequr nga kryetari Shaqir Totaj, lidhet me mungesën e dokumentacionit financiar mbështetës për pagesat e realizuara përmes urdhrave përmbarimorë, shkruan Kujdestari.info.

Sipas ZKA-së, gjatë auditimit të shpenzimeve gjyqësore dhe pagesave të ekzekutuara mbi bazën e urdhrave përmbarimorë, në një mostër prej 30 rasteve me vlerë totale prej 3,884,852 euro, auditorët nuk kanë pranuar dokumentacion të plotë financiar mbështetës, përfshirë propozimet për përmbarim, faturat, kontratat, raportet e pranimit të punëve apo dëshmitë për shërbimet e kryera.

“Në 30 mostrat e urdhrave përmbarimorë të ekzekutuar në vlerë totale 3,884,852 euro, nuk na është ofruar dokumentacioni financiar mbështetës (propozimet urdhërat përmbarimor, faturat, raportet e pranimit – situacionet e punëve, shërbimeve të kryera dhe kontratat)”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditorët vlerësojnë se kjo situatë ka ardhur si rezultat i mosfunksionimit të duhur të kontrollit të brendshëm dhe mungesës së koordinimit ndërmjet drejtorive përgjegjëse, duke ngritur dyshime serioze mbi mënyrën e verifikimit të pagesave para ekzekutimit të tyre.

Edhe më shqetësues është vlerësimi i ZKA-së për ndikimin e kësaj gjetjeje. Sipas raportit, mungesa e dokumentacionit mbështetës rrit rrezikun që pagesat të jenë ekzekutuar pa u kryer realisht puna apo shërbimet përkatëse, duke e bërë këtë një nga çështjet më sensitive të evidentuara në auditim.

- Advertisement -

“Mungesa e dokumentacionit mbështetës për ekzekutimin e urdhrave përmbarimor të ekzekutuar, rrit rrezikun që të ekzekutohen pagesa pa u kryer punët apo shërbimet”, thekson ZKA.

Bazuar në natyrën e gjetjes, kjo çështje konsiderohet potencialisht ndër më seriozet në raport, pasi mund të ngrejë dyshime edhe për përgjegjësi më të thella institucionale lidhur me menaxhimin e parasë publike.

ZKA i ka rekomanduar kryetarit të komunës që të sigurojë se, në rastet e propozimeve për përmbarim, çdo pagesë të mbështetet me dokumentacion të plotë financiar dhe gjatë procesit të auditimit t’u vihet në dispozicion auditorëve i gjithë dokumentacioni i kërkuar. /Kujdestari.info/

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -