Policia e Kosovës ka shoqërua disa serbë në Gazimestan, pasi raportohet se kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë bërë thirrje si “Kosova është Serbi” gjatë manifestimit të Vidovdanit.
Po ashtu, është raportuar se disa prej tyre kanë pasur edhe flamuj apo bluza me simbole provokuese.
Ndërkohë, fotoreporteri Visar Kadrolli ka sjellur pamje nga shoqërimi i këtyre serbëve në Policinë e Kosovës.
Ndryshe deri më tani policia nuk ka dalë me një raport mbi zhvillimet në këto festime, që zakonisht, përcillen me provokime të ndryshme.
Megjithatë, në një komunikatë për media të premten kishte bërë me dije se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.
Në një komunikatë për media, policia ka thënë se janë ndërmarrë masat planifikuese për menaxhimin e situatës së sigurisë në vend.
“Lidhur me planet dhe masat operacionale të planifikuara për Vidovdan, përmes një takimi zyrtar të mbajtur sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, nga menaxhmenti i lartë janë shpalosur detajet e planit operacional, me të cilat janë njoftuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që ishin pjesëmarrës në takim.
Nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë, të zhvillohen qetë dhe pa incidente” – thuhet në njoftim.
Po ashtu, kryeministri në largim, Albin Kurti kishte alarmuar se grupe të shumta të serbëve janë organizuar për festimet e Vidovdanit.
Kurti gjatë së premtes deklaroi se këto grupe janë provokuese:
“Janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosna e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër. Tradicionalisht grupet e tilla kanë qenë provokuese, duke bartur simbole, nacionaliste serbe e ruse, që bien në kundërshtim me vlerat demokratike evropiane.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, sidomos të komunitetit serb, që të mos lejojnë të keqpërdoren për qëllime politike. U bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë, që të mos bien pre e asnjë provokimi në ditën e nesërme.
Tubimet për Vidovdanin duhet të bëhen në përputhje me ligjin, e jo për instrumentalizim politik nga Beogradi, që tentojnë të eksportojnë krizën e tyre të brendshme politike në Kosovë, e pastaj të paraqiten si kinse mbrojtës të interesave kombëtare të tyre” – tha ai në mbledhjen e qeverisë në detyrë.
