Katër kosovarë kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i lënduar rëndë pas shembjes së një skele në një kantier ndërtimi në Vjenë. Ngjarja e rëndë, e cila nga dëshmitarët u përshkrua si një skenë nga një filmi katastrofash, ndodhi të martën pasdite në Alsergrund.
Sipas raportimeve nga gazeta austriake “Krone“, aksidenti fatal ndodhi pak pas orës 14:00 në oborrin e brendshëm të një pallati banimi në rrugën Porzellangasse. Gjatë punimeve për betonimin e një papafingoje, struktura dhe skela mbajtëse dështuan papritur, duke u shembur pikërisht në momentin kur pesë punëtorë ndodheshin mbi të.
Siç shkruan gazeta, zëdhënësi i zjarrfikësve, Martin Hofbauer, shpjegoi se struktura e sapobetonuar u rrëzua papritur, duke i tërhequr punëtorët në thellësi dhe duke i zënë ata nën tonelata beton dhe materiale ndërtimi.
Dëshmitarët okularë përshkruan për gazetën sekonda dramatike në vendngjarje. “Ishte një zhurmë jashtëzakonisht e madhe, pastaj dëgjova vetëm se si punëtorët po bërtisnin me të madhe. Më pas filluan edhe sirenat,“ tregoi një banor i zonës.
Ndërkohë, një operator vinçi u bë dëshmitar i pavullnetshëm i tragjedisë, duke e parë të gjithë ngjarjen nga kabina e tij e lartë, i pafuqishëm për të ndërhyrë.
Një i mbijetuar pas 90 minutash kërkime
Pavarësisht mbërritjes së menjëhershme të mbi 100 forcave të zjarrfikësve, policisë dhe autoambulancave, operacioni i shpëtimit ishte jashtëzakonisht i vështirë, shkruan mediumi. Rrënojat e paqëndrueshme, pluhuri dhe betoni i freskët e bënë terrenin shumë të rrezikshëm, duke i detyruar shpëtimtarët të gërmonin shpesh me duar të zbrazëta.
Pas rreth 90 minutash përpjekje të dëshpëruara, ekipet raportohet se arritën të nxirrnin të gjallë një 45-vjeçar. Sipas urgjencës së Vjenës, ai u dërgua menjëherë në dhomën e traumës me lëndime masive në kokë, fraktura në krahë dhe dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore. Për katër kolegët e tij, fatkeqësisht, ishte tepër vonë; ata ndërruan jetë nën copëzat e betonit.
Arsyet e dështimit të papritur të strukturës mbeten ende të paqarta.
