El Nino ka filluar, pritet mot ekstrem i nxehtë

- Advertisement -
- Advertisement -

Shkencëtarët në SHBA kanë njoftuar se zyrtarisht ka nisur El Niño, një fenomen natyror klimatik në Oqeanin Paqësor që zakonisht shoqërohet me rritje të temperaturave globale.

Administrata Kombëtare Amerikane për Oqeanet dhe Atmosferën (NOAA) konfirmoi se kushtet e El Niño janë tashmë të pranishme në Paqësorin tropikal, ku temperatura e sipërfaqes së detit është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit.

Zhvillimi nuk ishte i papritur. Meteorologët e kishin parashikuar këtë fazë ngrohjeje pas përfundimit më herët gjatë vitit të La Niña-s, fenomenit “motër” më të ftohtë të El Niño-s.

Shumë parashikime sugjerojnë se ky mund të jetë një i ashtuquajtur “super” El Niño, madje një ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë.

I kombinuar me dekadat e ngrohjes globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, ky fenomen mund të çojë në një tjetër vit rekord sa i përket temperaturave – me gjasë në vitin 2027 – si dhe në çrregullime të mëdha të kushteve atmosferike, furnizimit me ushqime dhe ekonomive botërore. Pasojat e tij pritet të ndihen gjerësisht dhe në mënyrë të thellë gjatë atij viti.

- Advertisement -

Konfirmimi i shkencëtarëve

Temperaturat e sipërfaqes së detit në Paqësorin qendror dhe tropikal tashmë kanë tejkaluar pragun prej 0.5°C mbi mesataren, nivel që shkencëtarët amerikanë e përdorin si tregues për shpalljen e El Niño-s.

Në një njoftim të saj, NOAA thekson se “kushtet për El Niño janë zhvilluar gjatë muajit të kaluar, siç tregojnë temperaturat mbi mesatare në sipërfaqen e detit në pjesën qendrore dhe lindore të Paqësorit ekuatorial”.

Agjencia amerikane gjithashtu vëren se erërat mbi Paqësorin ekuatorial po fillojnë të ndryshojnë drejtim dhe intensitet, çka shihet si një sinjal i rëndësishëm se atmosfera po reagon ndaj ngrohjes së oqeanit – dhe jo thjesht se oqeani po ngrohet në mënyrë të izoluar.

Modelet parashikojnë fuqi rekord

Ajo që ka befasuar studiuesit është niveli i lartë i sigurisë që tashmë tregojnë modelet kompjuterike në lidhje me fuqinë e këtij fenomeni. Intensiteti i El Niño-s matet sipas rritjes së temperaturës së sipërfaqes së detit mbi mesataren në një zonë kyçe të Paqësorit.

Një ngjarje konsiderohet e fortë kur temperatura rritet mbi 1.5°C mbi mesataren, ndërsa një shumë e fortë kur kalon 2°C.

Sipas parashikimit të qershorit të NOAA-s, ekziston një probabilitet prej 63% që gjatë periudhës nëntor–janar të ndodhë një El Niño shumë i fortë. Një zhvillim i tillë do ta rendiste atë ndër ngjarjet më ekstreme të regjistruara që nga viti 1950, kur edhe fillojnë të dhënat moderne klimatike.

Që nga ajo kohë, tre nga El Niño-t më të fuqishëm kanë ndodhur në vitet 1982/83, 1997/98 dhe 2015/16.

Ndërkohë, disa nga modelet më të fundit amerikane dhe evropiane shkojnë edhe më tej, duke sugjeruar se deri në fund të vitit temperaturat në Paqësorin tropikal mund të rriten edhe mbi 3°C mbi mesataren.

Megjithatë, agjencia amerikane ka bërë thirrje për kujdes në interpretimin e parashikimeve. “Edhe ngjarjet shumë të forta të El Niño-s nuk sjellin domosdoshmërisht të njëjtat pasoja në çdo rajon, por ngjarjet më intensive mund të rrisin ndjeshëm gjasat për zhvillime dhe ndikime tipike të këtij fenomeni,” thuhet në deklaratë.

Ngrohja globale po i përforcon pasojat

Shqetësimi më i madh, sipas ekspertëve, është se i gjithë ky fenomen po ndodh në një planet që tashmë është dukshëm më i ngrohtë.

“Duhet të shqetësohemi për pasojat”, tha profesori Adam Scaife, udhëheqës i parashikimeve në Met Office të Britanisë.

Ai shtoi se “El Niño aktual po mbivendoset mbi ngrohjen globale të konsiderueshme. Kjo do të thotë se temperaturat në rajonet e prekura mund të jenë të paprecedenta, pasi ngrohja e shkaktuar nga El Niño i shtohet ndryshimeve klimatike ekzistuese”.

Sipas tij, një El Niño i fortë zakonisht rrit temperaturat globale të ajrit me rreth 0.2°C, duke çliruar në atmosferë nxehtësinë e akumuluar në oqeane.

Ky ndikim shtesë po godet një botë që tashmë po shënon rekorde të njëpasnjëshme të temperaturave.

Viti 2024 ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, i ndikuar nga një El Niño që nuk konsiderohej veçanërisht i fortë. Ndërkohë, pavarësisht efektit ftohës të fenomenit La Niña, viti 2025 mbeti ende i treti më i nxehtë në histori – madje më i nxehtë edhe se viti 2016, kur u regjistrua një nga El Niño-t më të fuqishëm.

“Deri në fund të këtij viti dhe në vitin 2027 ka gjasa të shohim temperatura shumë të larta globale”, tha profesori Adam Scaife.

Ai shtoi se “në vitin 2027 mund të përballemi me një valë të re ekstreme nxehtësie, mbi ngrohjen globale ekzistuese, gjë që mund të çojë lehtësisht në një tjetër vit ku temperatura mesatare globale tejkalon 1.5°C krahasuar me nivelet e fundit të shekullit XIX”.

Thatësira, përmbytje dhe zjarre në mbarë botën

Asnjë El Niño nuk është i njëjtë, por efektet e tij zakonisht ndihen më fort në zonat tropikale.

Përmbytjet janë të shpeshta në veri të Perusë dhe në jug të Ekuadorit, ndërsa ndikime të tjera mund të shtrihen edhe në pjesë të Afrikës lindore, Azisë qendrore dhe jugut të Shteteve të Bashkuara.

Në të njëjtën kohë, rritet rreziku i thatësirave dhe zjarreve pyjore në zona të gjera të Australisë, Indonezisë dhe në pjesën veriore të Amerikës së Jugut. Këto ndryshime mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta në bujqësi dhe në sigurinë globale të ushqimit.

El Niño zakonisht sjell edhe një ulje të aktivitetit të uraganeve në Atlantik, dhe parashikuesit tashmë presin një sezon më të qetë se mesatarja.

“Edhe pse kjo mund të tingëllojë si lajm i mirë, për Amerikën Qendrore do të thotë më pak reshje dhe rrezik i shtuar për thatësira”, tha Liz Stephens, profesoreshë e rrezikut klimatik në Universitetin e Reading.

Për shumë njerëz, kjo parashikim nuk mbetet thjesht një çështje abstrakte. “Shpallja e El Niño-s nuk është vetëm një tjetër parashikim moti – për miliona njerëz është një alarm serioz që duhet marrë shumë seriozisht”, tha Mohamed Adow, drejtor i organizatës Power Shift Africa.

Ai shtoi se kjo situatë nënkupton mungesë reshjesh, dështim të të korrave, rritje të çmimeve të ushqimeve dhe shtyrje të familjeve drejt kufijve të mbijetesës. Sipas tij, në Afrikën Lindore veçanërisht, ndikimet do të jenë të ndjeshme, duke goditur komunitete që tashmë janë përballur me thatësira dhe përmbytje në vitet e fundit.

Nuk janë të gjitha agjencitë të një mendimi

Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) ndan të njëjtin vlerësim me NOAA-n, duke konsideruar se kushtet për El Niño tashmë janë të pranishme dhe duke shtuar se ato pothuajse me siguri do të vazhdojnë deri në vjeshtë. Megjithatë, jo të gjitha agjencitë janë ende të gatshme ta shpallin zyrtarisht fenomenin.

Ndryshe nga JMA dhe NOAA, Zyra Australiane e Meteorologjisë (BoM) përdor një kriter më të rreptë për shpalljen e El Niño-s, duke kërkuar që temperaturat e sipërfaqes së detit të jenë të paktën 0.8°C mbi mesataren.

Këtë javë, autoritetet meteorologjike kanë njoftuar se Paqësori tropikal “po i afrohet kushteve të El Niño-s”, pasi temperaturat në Paqësorin qendror tashmë kanë kaluar pragjet përkatëse. Megjithatë, ato janë përmbajtur nga shpallja zyrtare e fillimit të fenomenit, duke theksuar se ai pritet të zhvillohet më vonë gjatë këtij viti dhe mund të jetë i fortë.

El Niño shfaqet zakonisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe zgjat rreth një vit. Aktualisht, nuk ka prova përfundimtare që ndryshimet klimatike po e bëjnë këtë fenomen më të shpeshtë apo më intensiv, por një planet që po ngrohet mund t’i përforcojë ndjeshëm efektet e tij.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -