Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se janë ekzekutuar shtesat prej 100 eurove edhe për fëmijët.
Murati këtë e ka njoftuar me anë të një postimi në ‘Facebook’ përgjatë së martës, në të njëjtën ditë kur kanë dalë shtesat edhe për të gjitha kategoritë e pensionmarrësve.
“Ekzekutohet edhe shtesa e njëhershme për të gjithë fëmijët që janë në sistem të shtesave për fëmijë. Mjetet janë transferuar bashkë me shtesën e zakonshme mujore, në llogarinë e njëjtë”, thuhet në njoftimin e Muratit.
Sipas njoftimit, shtesat janë ekzekutuar për 388,015 fëmijë.
100 euro po ashtu i kanë marrë edhe 287,684 pesionistë.
Kategoritë e skemave pensionale të cilat do t’i marrin 100 euro janë si në vijim: Pensionistët e moshës, kategoritë e luftës, pensionistët me aftësi të kufizuara, pensione familjare dhe të invaliditetit në punë dhe pensionet e parakohshme, për ata që marrin më pak se 500 euro.