8.9 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Do të hyjnë edhe në Këshill të Europës – frika e Vuçiq pas lajmit për vizat

- Advertisement -

Aleksandar Vuçiq, mbrëmë, në një intervistë në mediat e Serbisë, ka folur rreth vizitës së emisarit të BE’së, Miroslav Lajçak, i cili edhe të premten po qëndron në Kosovë. Duke e ndërlidhur me negociatat për propozimin europian dhe planin e zbatimit, Vuçiq ka folur rreth vendimit të Këshillit të Ministrave të BE’së për vizat. Këtë e ka interpretuar si shpërblim për Kosovën. Sipas tij, shpërblimi i radhës do të jetë anëtarësimi në Këshill të Europës.

- Advertisement -

“Jam pothuajse i sigurt që Kurti është i vendosur që të mos e formojë Asociacionin. Se e ka të lehtë ta bëjë këtë, dëshmon vendimi për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e të ashtuquajturës Kosovë të cilin nuk e kemi kundërshtuar. Por momenti kur ndodhi kjo tregon se jo që nuk janë të gatshëm të bëjnë presion ndaj Albin Kurtit, por kjo është një inkurajim për Albin Kurtin, që të vazhdojë me mospërmbushjen e premtimeve dhe kjo është ajo”, ka thënë ai.

“Ju garantoj, sikur që do të vazhdojë të thotë se nuk mund të formohet Asociacioni pa njohje, çfarë lidhje ka kjo, në marrëveshjen e Brukselit s’përmendet kurrfarë njohje. Por ai s’brengoset, e mori regjimin pa viza, do ta marrë edhe anëtarësimin në Këshill të Europës”, ka shtuar Vuçiq.

- Advertisement -

Ndryshe çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës ka qenë temë në zyrën e Kurtit javën e kaluar, kur aty shkuan ambasadorët e vendeve të QUINT’it.

Kryeministri atyre iu tha se procesi i filluar i anëtarësimit në Këshill të Europës “duhet të vazhdojë pa vonesë”.

Aty zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, i informoi mysafirët me zhvillimet e deritanishme në procesin e anëtarësimit.

- Advertisement -

“Lobimi intensiv dhe i koordinuar me partnerët ka siguruar mbështetjen e nevojshme për procedimin e mëtutjeshëm të aplikimit të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit të saj në Këshillin e Europës”.

Por ku ka mbetur kjo çështje?

Gazeta Express ka kontaktuar Presidencën islandeze të Këshillit të Europës për të pyetur se kur Komiteti i Ministrave do të ketë në agjendë aplikimin e Kosovës.

“Presidenca do të mbetet në kontakt të ngushtë me të gjitha shtetet anëtare me qëllim që të vazhdojë me aplikimin e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave sa më shpejt që të jetë e mundur dhe në përputhje të plotë me rregullat ekzistuese. Nuk ka ende një datë të caktuar që aplikimi të futet në agjendën e Komitetit të Ministrave”, thuhet në përgjigjen për Express.

Islanda, e cila do të kryesojë Këshillin e Europës deri në maj të këtij viti, tha se si ndër 34 shtetet anëtare të Këshillit të Europës që e kanë njohur Kosovën, beson se të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë duhet të përfitojnë nga standardet europiane për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

“Gjatë presidencës së saj, Islanda ka mbajtur konsultime të gjera me të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës se si të procedohet më mirë me aplikimin e Kosovës. Aplikimi i Kosovës trajtohet sipas rregullave dhe procedurave të organizatës”.

Ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, Kurti, përveç falënderimit, tha se Kosova ndan të njëjtat vlera dhe parime me Këshillin e Europës dhe se këto janë të mishëruara edhe në Kushtetutën e saj, nëpërmjet inkorporimit të konventave të rëndësishme të Këshillit të Europës.

Ai theksoi se përparimet e dukshme të Republikës së Kosovës në indekset ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, të demokracisë dhe të sundimit të ligjit, janë disa nga dëshmitë që tregojnë se Republika e Kosovës duhet të jetë anëtare e plotë e Këshillit të Europës dhe procesi i filluar i anëtarësimit duhet të vazhdojë pa vonesë.

Kosova aplikoi për anëtarësim në organizatën e vjetër të të drejtave të njeriut më 12 maj të vitit të kaluar.

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -