Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të nënshkruhet sot, duke sinjalizuar një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump theksoi se marrëveshja do të shoqërohet me hapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më strategjike detare në botë, duke e cilësuar atë si “të hapur për të gjithë” pas arritjes së marrëveshjes.
Sipas tij, nënshkrimi do të ndodhë menjëherë, ndërsa marrëveshja synon t’i japë fund përshkallëzimit të fundit të konfliktit mes dy vendeve.
Megjithatë, nga pala iraniane janë shprehur rezerva për afatet e përmendura. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, ka deklaruar se ende nuk ka një datë të saktë të konfirmuar për nënshkrimin, duke theksuar se “duhet pritur dhe parë zhvillimet”.
Ndërkohë, Pakistan, i cili po luan rol ndërmjetësues, ka bërë të ditur se marrëveshja pritet të finalizohet brenda 24 orëve dhe se po përgatiten procedurat për nënshkrim elektronik.
Deklaratat e fundit vijnë në një moment tensionesh të larta, ndërsa palët vazhdojnë negociatat për finalizimin e dokumentit që synon uljen e konfliktit dhe stabilizimin e situatës në rajon.
