Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin ReKos 2024, lidhur me tregun e punës, ku bëhet e ditur se shkalla e papunësisë në vend arrin në 13,9 për qind.
Sipas raportit, rreth dy të tretat e popullsisë së Kosovës (1 063 687 persona) janë në moshë pune. Numri i personave aktivë arrin 514 791, ndërsa numri i personave joaktivë është 548 896.
Sa i përket punësimit, numri i personave të punësuar është 443 364, ndërsa i të papunësuarve 71 427.
“Shkalla e jo-aktivitetit vazhdon të mbetet mjaft e lartë dhe përbën një nga sfidat kryesore të tregut të punës në Kosovë, duke arritur 51,6 %. Kjo dukuri është veçanërisht e theksuar tek femrat, ku shkalla e jo-aktivitetit është 65,4 %, krahasuar me 37,8 % te meshkujt”, thuhet në raport.
Sektorët kryesorë ekonomikë që dominojnë punësimin janë tregtia me 19,7 %, prodhimi me 12,7 %, ndërtimtaria me 9,6 %, arsimi me 8,5 % dhe administrata publike dhe mbrojtja me 8,2 %. Femrat janë kryesisht të punësuara në tregti, arsimi dhe kujdes shëndetësor, me 48,9 % të tyre, ndërsa meshkujt në tregti, prodhim, ndërtimtari, administratë publike dhe mbrojtje, si dhe në aktivitetet e akomodimit dhe shërbimeve, me 63,2 %.
