Dega e LDK-së në Pejë, njofton se pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, “me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë”.
“Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja”, thuhet në njoftimin e degës.
“Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, përfundon njoftimi.
Ky është rasti i parë kur një degë e rëndësishme e LDK’së kërkon dorëheqjen e Kryetarit Abdixhiku për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur Kuvendin zgjedhor në fund të muajit janar ku në krye të partisë ishte konfirmuar Lumir Abdixhiku. Pas Kuvendit ishte spekuluar se Muhaxheri dhe Abdixhiku kanë prishur raportet, por zgjedhjet e parakohshme si duket e kanë mbajtur nën tepih problemin, por komunikata e degës në Pejë tani po e nxjerr në pah atë.
Njoftimi i plotë:
I shpejtë ishte edhe reagimi i Abdixhikut, duke pyetur: Si nuk u ngopën kurrë.
Reagimi i plotë: Si nuk u ngopën kurrë?!
I falënderoj për sugjerimet e kërkesat e koordinuara te dy Kryetarëve të Degëve, të Pejës e Lipjanit, të dhëna nëpërmjet mediave për dorëheqjen time. Do të kishte qenë më korrekte që këtë ta bënin ballë për ballë. Fundja kemi bashkëpunuar gjatë.
Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së.
Unë çështjen e dorëheqjes sime e kam trajtuar në Kuvendin e 31 janarit. Edhe përballë këtyre dy kryetarëve. Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë.
E siguroj anëtarësinë e gjerë të LDK-së se nuk do të lejojmë, që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë. Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do te dështojnë edhe tash. Që nga atëherë, me te gjitha pengesat e dyshimet, në një kohë aq të shkurtë, ne megjithatë u rritëm. Sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk do te lejojme që vullneti i shumicës derrmuese të LDK-së të tjetërësohet ne projekte që synojnë ndarjen dhe më pas shuarjen e LDK-së.
Fundja, LDK nuk është konfederatë e interesave lokale. As platforme e karrierave individuale. LDK mbetet parti nacionale. E vetes. E askujt tjetër; sidmos e asnje partie tjetër.
Ftoj anëtarësinë shumicë që, në këto kohë të trazuara, të ruajë qetësinë. Do ta kapërcejmë secilën sfidë siç dimë ne.
Ndjej vetem keqardhje, që në momentet me të rëndësishme të LDK-së e vendit, dëmtimi ynë nga brenda mbetet qëllim. Si nuk u ngopën kurrë?!
