Vuçiq thotë se do të japë dorëheqje brenda pak javësh nga posti i presidentit – flet edhe për Kosovën

- Advertisement -
- Advertisement -

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka qenë nën trysni pas muajsh të tërë protestash kundër Qeverisë së tij, njoftoi të shtunën se do të japë dorëheqje brenda pak javësh dhe se vendi do të mbajë zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare.

Njoftimi i Vuçiqit, i cili ka qenë në pushtet për 13 vjet, erdhi pas një viti e gjysmë protestash kundër korrupsionit, të udhëhequra nga studentët dhe herë pas here të shoqëruara me dhunë.

Protestat u nxitën nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor në qytetit verior të Novi Sadit, në nëntor të vitit 2024, ku humbën jetën 16 njerëz.

Protesta më e madhe, e thirrur nga studentët protestues, mblodhi disa qindra mijëra qytetarë më 15 mars në Beograd.

Vetëm pak ditë më parë, në Novi Sad, studentët përkujtuan viktimat e tragjedisë dhe kërkuan mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme. Një tjetër protestë studentore është planifikuar të mbahet të dielën në qytetin e Kraljevës, në juglindje të Serbisë.

“Do të jem president edhe vetëm për disa javë, pastaj do të jap dorëheqje”, u tha Vuçiq mbështetësve të tij gjatë një tubimi proqeveritar në kryeqytetin Beograd.

- Advertisement -

Mandati i tij i dytë dhe i fundit ishte parashikuar të përfundonte në mesin e vitit 2027.

Vuçiq tha se do të ndihmojë Partinë e tij Progresive Serbe t’i fitojë zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare, të cilat fillimisht ishin planifikuar të mbaheshin gjithashtu në vitin 2027.

Ai nuk saktësoi se kur do të japë dorëheqjen dhe as se kur do ta shpërndajë Parlamentin, një hap i domosdoshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Programi politik i prezantuar në tubimVuçiq e prezantoi programin politik të Partisë Progresive gjatë tubimit të shtunën.

Ai foli për masat ekonomike – duke premtuar standarde më të mira, rritje të pagave dhe pensioneve, si dhe për trajektoren politike të shtetit.

Ai theksoi se Serbia do ta ruajë “partneritetet tradicionale” me Kinën dhe Rusinë.

“Ne nuk i braktisim miqtë tanë kur kohërat janë të vështira, dhe nëse do të nxitojmë në rrugën evropiane – po, do ta bëjmë. Do të bëjmë atë që është detyra jonë, dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë me më shumë entuziazëm”, vlerësoi ai.

Në një pjesë të fjalimit të tij, Vuçiq bëri akuza kundër lëvizjes studentore, ndërsa në të njëjtën kohë bëri thirrje për dialog.

Mbështetës të Partisë Progresive Serbe në pushtet mblidhen para Parlamentit serb në Beograd, më 27 qershor 2026.

“Ne nuk e kemi harruar dhe nuk do ta harrojmë gjithçka që i është bërë vendit tonë në një vit e gjysmë”, tha ai, duke akuzuar, pa prova, politikanë të paidentifikuar dhe qendra pushteti nga jashtë për ndërhyrje në proceset politike të vendit.

“I kam shërbyer vendit tim me besnikëri për 14 vjet. Kam luftuar vetëm për Serbinë, nuk kam dashur kurrë t’i shërbej askujt tjetër, përveç jush, qytetarëve të Serbisë”, tha ai.

Ai theksoi se nuk do “të këtë bisedime” për Kosovën, pavarësinë e së cilës Serbia nuk njeh dhe e lufton.

“Ne gjithmonë e kemi ditur, edhe në kohët më të vështira, të themi se duam të flasim për gjithçka, por nuk do të negociojmë se kujt i përket territori. E dini çfarë është shkruar në Kushtetutën e Serbisë, është Shkrim i Shenjtë për ne dhe ne do t’i përmbahemi atij”, tha ai.

Tubimi i SNS-së, nën sloganin “Serbia, Një Familje”, u mbajt në prag të Vidovdanit – një festë shtetërore dhe fetare e lidhur me betejën mesjetare në Kosovë, nga e cila lindi miti nacionalist serb.

Flamuj me hartën e Kosovës dhe flamurin trengjyrësh serb me mesazhin “Jo dorëzim” në një protestë studentore në Beograd më 11 tetor 2025.

Gjatë tubimit, përveç brohoritjes së sloganeve në mbështetje të presidentit, të mbledhurit bërtitën edhe “Kosova është Serbi” – një slogan që mohon pavarësinë e Kosovës.

“Nesër është Vidovdani. Shikoni forcën e ushtrisë suaj, çfarë ka ushtria dhe pse askush nuk do të jetë në gjendje ta sulmojë Serbinë”, tha Vuçiq, duke njoftuar një shfaqje armësh dhe një stërvitje ushtarake më 28 qershor.

Ai kritikoi gjithashtu qeverinë e mëparshme, të udhëhequr nga Partia Demokratike deri në vitin 2012, duke i akuzuar ata për “plaçkitje dhe korrupsion. /REL/

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -