U prit me 20 korrik, por nuk do të ndodhë kështu. Gjykata Speciale ka caktuar 16 shtatorin 2026 si datë për shqiptimin e aktgjykimit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, pasi u arrestuan dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara pas konfirmimit të aktakuzës. Që nga ajo kohë, kërkesat e tyre të shumta për lirim të përkohshëm janë refuzuar vazhdimisht nga gjyqtarët, me arsyetimin se ekziston rreziku i pengimit të procedurës, ndikimit mbi dëshmitarët dhe kryerjes së veprave të tjera penale.
Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023, me deklaratat hyrëse të Prokurorisë, përfaqësuesit të viktimave dhe ekipeve mbrojtëse. Gjatë më shumë se dy viteve u dëgjuan 125 dëshmitarë të Prokurorisë, dy dëshmitarë të përfaqësuesit të viktimave dhe shtatë dëshmitarë të mbrojtjes. Në proces morën pjesë edhe 156 viktima të pranuara nga Gjykata.
Prokuroria e mbylli paraqitjen e provave më 15 prill 2025, ndërsa më 16 korrik 2025 gjykata hodhi poshtë kërkesën e përbashkët të mbrojtjes për rrëzimin e aktakuzës. Pas kësaj, më 15 shtator 2025, nisi paraqitja e provave nga mbrojtja, ku vetëm ekipet e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit paraqitën dëshmitarë. Procedura provuese u mbyll më 18 dhjetor 2025.
Deklaratat përfundimtare u mbajtën nga 9 deri më 18 shkurt 2026. Prokuroria kërkoi që të katër të shpallen fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës dhe kërkoi dënim të përbashkët prej 45 vjetësh burg për secilin prej tyre, duke argumentuar se provat kanë dëshmuar ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe përgjegjësinë e tyre për krimet e pretenduara.
Në anën tjetër, ekipet mbrojtëse kërkuan lirimin e plotë nga të gjitha akuzat, duke argumentuar se Prokuroria nuk ka arritur të provojë fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm. Avokatët e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë këmbëngulur se provat janë të pamjaftueshme, se shumë dëshmi janë kontradiktore dhe se nuk është vërtetuar përgjegjësia penale individuale e të akuzuarve. Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mišetić, deklaroi se “Hashim Thaçi është i pafajshëm” dhe kërkoi shpalljen e aktgjykimit lirues.
Fillimisht, trupi gjykues kishte afat ta shpallte aktgjykimin deri më 19 maj 2026. Më pas, për shkak të kompleksitetit të çështjes, afati u shty deri më 20 korrik 2026, ndërsa tani Gjykata ka vendosur që aktgjykimi të shpallet më 16 shtator 2026, duke e zgjatur edhe më tej një proces që ka zgjatur gati gjashtë vjet nga arrestimi i të akuzuarve dhe më shumë se tre vjet nga fillimi i gjykimit.
