“Deri sot nuk jam rrëzuar, kush më njeh me mbi katër dekada këtë e di.”
Kështu deklaroi kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, pas vendimit të kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, e cila nuk i dha besimin për një mandat të dytë në zgjedhjet lokale të 8 tetorit.
Lladrovci paralajmëroi “fillimin e fundit politik” për ata që i quajti “bedelë dhe mbështetësit e tyre”.
“Respekt për votat pro dhe kundër në seli të PDK-së, po ashtu, faleminderit atyre që nuk morën pjesë në votim. Ky është fillimi i fundit politik për bedelët dhe përkrahësit e tyre.
Qytetarët e komunës së Drenasit e kanë fjalën e fundit, bashkë, vazhdojmë, +4!”
Partia Demokratike e Kosovës ka përfunduar përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke miratuar listën përfundimtare të 31 kandidatëve për kryetarë komunash.
Mes emrave, ra në sy kandidati për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, pas tensioneve javëve të fundit në dritën e një garë të ashpër mes kandidatëve të kësaj partie në këtë komunë.
Nacionale raportoi pak më parë përmes burimeve nga gazeta se, gjatë mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, vendimi përfundimtar ishte që Lladrovci nuk do të marrë mbështetje zyrtare nga partia për kandidaturën e tij.
Në këtë mbledhje, 26 vota u dhanë në favor të Petrit Hajdarit, ndërsa Ramiz Lladrovci mori vetëm 4 vota, me një votë të pavlefshme.
Kujtojmë që Ramiz Lladrovci kishte insistuar për disa muaj me radhë se nuk do të pranonte një kandidaturë tjetër nga PDK për Drenasin, duke theksuar se “nuk ka bir nane që më largon nga PDK-ja” në disa paraqitje televizive.
Lladrovci dje në një reagim në faqen e vet, pati thirrje ndaj Kryesisë së PDK-së që të reflektojnë dhe të miratojnë kandidaturën e vet.
Kryetari i Drenasit madje e quajti “të papritshme” që në rend të parë emri i tij të vendosej “në garë” për t’u shqyrtuar nga Kryesia.
“Vendosja e emrit tim në garë, për tu zgjedhur nga anëtarët e Kryesisë së PDK-së, pa marrë parasysh sukseset e komunës dhe punës së shkëlqyer të degës, nuk ishte e pritshme për qytetarët e bastionit të PDK”, shkroi ai.
Nga ana tjetër, kandidati Hajdari falënderoi kryetarin Memli Krasniqi dhe kryesinë e PDK-së për besimin e dhënë dhe konfirmimin e kandidaturës së tij.
“Drenasi është vendi ku jam rritur e formuar dhe arsyeja pse jam në politikë. Me nderim të lartë e falenderim të sinqertë për kryetarin Memli Krasniqi dhe kryesinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kam pranuar konfirmimin e kandidaturës sime për kryetar të Komunës së Drenasit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Rrugëtimi im me PDK-në ka qenë i gjatë, sfidues por jashtëzakonisht krenar. Sot, edhe zyrtarisht, si kandidat i PDK-së për kryetar të komunës së Drenasit, i ftoj të gjithë për unifikim, bashkim e rrugëtim përpara ashtu sic i takon PDK-së në Drenas: bashkë e fuqishëm.
I falenderoj nga zemra të gjithë qytetarët e komunës së Drenasit që i kanë besuar vazhdimisht Partisë Demokratike të Kosovës e gjithashtu për besimin e thellë dhe emocionues që kam marrë unë gjithë këto ditë.” – shkroi ai mes tjerash.
