Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka shtrënguar duart me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, por edhe me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
Ajo e ka falënderuar Shtëpinë e Bardhë që e ftoi që t’u bashkohet liderëve botërorë në një samit për Ukrainën që u mbajt në kuadër të javës së nivelit të lartë të OKB-së në New York.
“E nderuar me ftesën e Shtëpisë së Bardhë që t’i bashkohem liderëve të tjerë botëror në samitin e radhës për Ukrainën, i cili kësaj radhe u mbajt në New York, në kuadër të javës së nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara”, shkroi Osmani në një postim në Facebook.
Për këtë takim të liderëve njoftoi edhe Biden.
Presidenti amerikan foli për një përpjekje ndërkombëtare për ta ndihmuar Ukrainën, në atë që Reuters e pëshkroi si “një shfaqje të fortë të unitetit” me liderë botërorë.
“Ju nuk jeni vetëm në këtë luftë”, tha Biden në fillimin e një deklarate të përbashkët të mbështetjes për rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Ukrainës.
Deklarata e përbashkët përmendi mbështetjen nga më shumë se 30 vende të botës. Një kopje e saj u shpërnda nga Shtëpia e Bardhë dhe aty thuhet se Rusia duhet të paguajë për dëmet që ia ka shkaktuar Ukrainës.
“Ne riafirmojmë se, në përputhje me të gjitha ligjet në fuqi dhe sistemet tona ligjore përkatëse, asetet sovrane të Rusisë në juridiksionet tona do të mbeten të palëvizura derisa Rusia ta përfundojë agresionin e saj dhe të paguajë për dëmin që ia ka shkaktuar Ukrainës”, thuhet në deklaratë.