Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se në mbledhjen e sotme mes përfaqësuesve të partive politike dhe kryetarit të Kuvendit, Dima Basha, është diskutuar edhe mundësia që nesër të procedohet për votim Qeveria e re.
Gruda, i ftuar në Infokus Live, tha se përveç çështjeve procedurale që lidhen me seancën, është paralajmëruar edhe votimi i ekzekutivit.
“Po ashtu u paralajmërua që nesër do të ketë procedim edhe në votim të qeverisë, mirëpo ta shohim. Mbetet tek ai që e ka mandatin për ta themeluar, zoti Kurti në këtë rast, që ta thërrasë atë seancë në të cilën do të votohet ajo qeveri”, ka deklaruar Gruda.
Ai theksoi se gjithçka varet nga hapat proceduralë që do të ndërmerren nga mandatari për formimin e qeverisë, duke lënë të hapur mundësinë që votimi të ndodhë gjatë ditës së nesërme, nëse plotësohen kushtet ligjore dhe parlamentare.
Seanca e nesërme pritet të jetë vendimtare për konstituimin e plotë të institucioneve dhe për formimin e Qeverisë së re./Gazeta Infokus
