Kosova do të përballet nesër me mot shumë të ftohtë, me intervale kohore me diell dhe vranësira lokale kryesisht të pakta. Sipas parashikimit të motit, do të fryjnë erëra të ftohta nga veriu, ndërsa në disa zona të izoluara ende mund të paraqiten fjolla bore. Temperaturat minimale pritet të zbresin deri në -12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nuk do të kalojnë -2 gradë.
Mot i ftohtë, por pa reshje atmosferike, pritet edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi. Në këto rajone parashikohen periudha të gjata me diell dhe kthjellime, megjithëse temperaturat do të mbesin të ulëta.
Nga e marta pritet zbutje graduale e acarit, si pasojë e vranësirave që do të vijnë nga veriperëndimi i kontinentit. Këto vranësira nuk pritet të sjellin reshje të theksuara. Normalizimi i motit dhe i temperaturave pritet në ditët në vijim, me mot kryesisht stabil dhe mundësi për mjegull në disa lugina.
