Gazetari Mirlind Behluli ka kritikuar ashpër kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, duke e cilësuar si një nga kryetarët më joefikas në Kosovë.
Duke iu referuar të dhënave të Institutit GAP, Behluli ka thënë se Rama ka realizuar vetëm 73 nga 202 premtime të dhëna, ndërsa 59 prej tyre nuk i ka nisur fare.
“Sipas GAP-it, Rama i ka pasur 202 premtime, ndërsa i ka realizuar veç 73. 59 nuk i ka nisur hiç. Pra është papunëtor kronik”, ka shkruar ai.
Sipas Behlulit, Rama merret me tema nacionale dhe krijon debate politike për të shmangur përgjegjësinë për problemet e kryeqytetit.
“Ankohet, nuk punon, krijon tollovi kot, merret me tema nacionale që nuk i takojnë dhe i fajëson të tjerët për dështimet e tij”, ka theksuar ai.
Behluli ka përmendur si premtime të parealizuara ndërtimin e nënkalimeve dhe parkingjeve nëntokësore te AKP-ja, Posta Qendrore dhe Dardania, si dhe ka kritikuar gjendjen me mbeturinat dhe transportin publik në kryeqytet.
“Që gjysmë dekade, hala asnjë autobus të ri nuk e ke sjellë në Prishtinë”, ka shkruar ai.
