Edhe më tej nuk është zbardhur motivi i vrasjes makabër të Liridona Ademajt në Bërnicë të Prishtinës. Në media e rrjete sociale janë përhapur shumë teori, duke qenë se kryepersonazhi – i dyshuari për porositjen e vrasjes, burri i të ndjerës – ishte edhe këshilltar i Behgjet Pacollit. Nacionale zhvilloi një intervistë me shkrim me Pacollin duke i bërë pyetje që po mundojnë më së shumti opinionin publik.
Pacolli në intervistën e mëposhtme tregon jo vetëm se si e njohu Murselin – që e përshkruan edhe si person “imponues” – por edhe se çfarë pune kryente ky i fundit për të.
Ai derisa evokon përjetimin pas lajmit të marrë se i dyshuar kryesor është Murseli – përveç dhimbjes që e shpreh në disa raste – shprehet se kishte pasur edhe mendime të frikshme.
Lexojeni ose shikojeni të plotë intervistën e realizuar nga Berat Buzhala:
Intervista me shkrim:
Berat Buzhala:
A mundesh me na tregu pak për Naimin. Kur e ke taku për herë të parë dhe çfarë probleme ka pasë ai që ju i keni ndihmu?
Behgjet Pacolli:
Naimin e njoh qe një dekadë e më shumë. Ka qenë një djalë shumë i ri për të cilin në atë kohë kam pasur dhembshuri duke e kuptuar se në të kaluarën ka pasur një operacion të rëndë në zemër. Siç kam bërë gjithmonë me raste të tilla edhe këtij i kam dhënë privilegjin të qëndrojë në rrethin tim sa herë që ka ardhë në takimet e AKR-së me qytetarët.
Unë Naimit i kam ndihmuar në mënyra të ndryshme dhe ai gjithmonë ndjehej falenderues. Kështu së paku e ka shprehur. Dhe dëshironte që të ndihmonte në çështje të komunikimit në rrjete sociale dhe në mirëmbajtjen e prezencës time në rrjetet sociale.
Berat Buzhala:
Çka konkretisht ka punu te ti?
Behgjet Pacolli:
Siç e thashë, ne i ndihmuam e ai mundohej ta kompensonte këtë me angazhime në rrjetet sociale. Adaptonte sajtet dhe profilet e AKR-së. Të miat e madje edhe të grupit Mabetex. U kriju një bashkëpunim mes nesh, madje ai kishte disa ide biznesi dhe kërkonte ndihmë dhe në shumë raste e kam ndihmuar. Prindi i Naimit e di këtë shumë mirë, se ai vetë është falenderuar te unë disa herë. Unë e kisha përkrahur sepse tregonte vullnte për punë dhe kishte ide të mira dhe unë jam gjithmonë i hapur të punoj me të rinjtë. Më vonë gjatë kohës në qeveri ai vinte shpesh me delegacione të ndryshme nga Suedia, qofshin kryetarë komunash, deputetë dhe personalitete të ndryshme me të cilët kishte raporte të mira dhe këtu erdhi ideja e tij që të emërohej këshilltar imi i jashtëm pro bono.
Siq e thash, ne i ndihmon e ai mundohej te kompenzoj kete me angazhime ne rrjetet sociale, adaptonte sitot dhe profilet e Akr, te miat madje edhe te grupit Mabetex, u kriju nje bashkepunim mes nesh, mandej ai kishte disa ide biznesi dhe kerkonte ndihme dhe ne shume raste e kam ndihmuar. Prindi i Naimit e din kete shume mir se ai vet eshte falenderuar te une disa here. Une e kisha perkrahur sepse tregonte vullnet per pune dhe kishte ide te mira dhe une jam gjithemone i hapur te punoj me te rinje. Me vone gjate kohes ne qeveri ai vinte shpesh me delegacione te ndryshme nga Suedia, qofshin kryetar komunash, deputet dhe personalitete te ndryshme me te cilet kishte raporte te mira dhe ketu erdhi ideja e tij qe te emerohet Keshiltar i imi i jashtem pro bono.
Berat Buzhala:
Tash kur i kemi faktet e reja për të, a mundesh me thanë që gjatë kohës kur ka qenë afër teje ke dyshu ndonjëherë në personalitetin e tij?
Behgjet Pacolli:
Asnjëherë, përndryshe nuk do të kishte pasur mundësi të ketë qasje tek unë, në familjen dhe shtëpinë time, në rrethin tim. Asnjëherë nuk ka treguar shenja që do të kishin krijuar dyshime tek unë. Këtë mund ta konfirmojnë edhe shumë njerëz të politikës, biznesit dhe personalitete tjera publike. Ai ka qenë edhe pak imponues por natyra ime nuk është ajo që të refuzojë prezencën e kujtdo qoftë.
Tani që ka ndodhur rasti tragjik me Liridonën, kam shumë dilema, sepse ai ka pasur qasje tek unë dhe familja ime duke përfshirë fëmijët e mi (djemtë e mi e kanë njohur për shkak të komunikimit elektronik që kishte me ta rreth risive në fushën elektronike, rreth futbollit, marrëdhëniet me lojtarët etj) krijohen mendime të frikshme. Ai gjithmonë e paraqiste veten si njeri të socializueshëm, njeri që ka dëshirë për punë, që dëshiron me ndihmu të tjerët, e pse është paraqitë kështu e ka ndodhur rasti tragjik ME Liridonën, mbetet që profesionistët të bëjnë vlerësimet e tyre.
Berat Buzhala:
Gjatë gjithë kësaj kohe, a tu ka dokë ndonjëherë i rrezikshëm apo me potencial kriminal?
Behgjet Pacolli:
Asnjëherë, siç e thashë, ai ka pasur qasje në familjen time, nuk do të kisha lejuar asnjëherë dikush me sjellje apo potencial kriminal t’i afrohej familjes time.
Berat Buzhala:
Në natën e krimit, a të ka kontaktu ty?
Behgjet Pacolli:
Jo, unë kam qenë në rrugë zyrtare larg Kosovës por bashkëpunëtorët e mi nga Kosova më kanë informuar për rastin. Duke mos ditur si ka ndodhë, unë kam tentu me e kontaktu por telefoni i tij ka qenë i mbyllur.
Berat Buzhala:
A ke dyshu që mundet me qenë i përfshimë?
Behgjet Pacolli:
Për veti, nuk kam ditë çka të mendoj. E kam pa versionin që doli natën e krimit që nga grabitja dhe më ka ardhur keq sepse mendoja që me të vërtetë janë bërë viktimë e një grabitjeje sepse veç sa kishin hyrë në shtëpinë e re dhe mund të ishin bërë target i kriminelëve. Por as në ëndërr s’e kisha mendu që del ky që ka gisht në organizimin e vrasjes së Liridonës, e atë në prezencë të fëmijëve të tyre.
Berat Buzhala:
A ke pasë njohuri që ky ka pasë probleme me bashkëshorten e tij, sepse është raportuar që në vitin 2019 kanë pasë tentativë dhe për divorc?
Behgjet Pacolli:
Jo, asnjëherë nuk ka folur për diçka të tillë dhe në sytë e mi janë dukur si familje e lumtur, por nuk kam qenë në dijeni që kanë probleme diçka.
Berat Buzhala:
Personin që e ka kryer krimin, a e ke takuar ndonjëherë?
Behgjet Pacolli:
Jo, asnjëherë. As nuk kam dëgjuar për të më herët.
Berat Buzhala:
Gjatë kësaj kohe, a ke mundur të bisedosh me familjen e Liridonës?
Behgjet Pacolli:
Unë jam aktualisht në një vizitë në Kinë dhe nuk kam pasur mundësi të jem i pranishëm në varrimin e Liridonës dhe të shprehi ngushëllimet e familjes së saj. Familja dhe bashkëpunëtorët e mi janë në kontakt me familjen e Liridonës (nëpërmes tyre kam dërguar ngushëllimet e mia) dhe pas kthimit do të shkoj tek familja e Liridonës. Shumë rast i rëndë është, unë dhe familje ime e kemi njohur Liridonën, kemi qenë kumbarë të djalit të saj, e tash kjo… e tmerrshme./Nacionale