Pas përfundimit të garës për kryetar të Prishtinës, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka shprehur mirënjohje të thellë për qytetarët e kryeqytetit, duke e cilësuar fushatën si një përvojë të jashtëzakonshme dhe të mbushur me ngrohtësi e besim. Ai ka falënderuar të gjithë votuesit dhe mbështetësit që kanë besuar në ndryshimin për një Prishtinë më të mirë, duke theksuar se përkrahja e madhe që ka marrë i jep forcë dhe motivim për të vazhduar angazhimin e tij publik.
Në mesazhin e tij, Çeku ka uruar Përparim Ramën për fitoren dhe ka shprehur dëshirën që Prishtina të dalë nga kaosi dhe të ecë drejt zhvillimit. Ai ka theksuar se si pjesë e Vetëvendosjes do të vazhdojë të punojë me përkushtim në shërbim të qytetit, duke garantuar një opozitë aktive që mbron interesat e qytetarëve në Kuvendin Komunal. Çeku ka falënderuar ekipin e tij, aktivistët dhe vullnetarët për angazhimin gjatë fushatës, duke premtuar se rrugëtimi për një Prishtinë më të mirë do të vazhdojë me të njëjtin besim dhe dashuri.
Postimi i plotë
Të dashur qytetarë të Prishtinës,
Kjo fushatë dhe takimet e mia me ju gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë përvojë e jashtëzakonshme për mua. Ndjesinë e ngrohtë që ma keni dhuruar nuk do ta ndërroja me asgjë.
Faleminderit nga zemra për çdo votë dhe për çdo përpjekje që keni bërë për ndryshimin që e besuam bashkë. Jemi shumë, dhe kjo më jep forcë e besim për të ardhmen e Prishtinës. Kjo garë tregoi se sa shumë njerëz e duan një Prishtinë më të mirë.
E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur.
Unë do të vazhdoj të jem në shërbim të Prishtinës, me të njëjtin përkushtim dhe dashuri, për këtë qytet që të gjithë e quajmë shtëpi.
Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, do të sigurohemi që nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës t’u qëndrojmë afër qytetarëve dhe të përcjellim secilin hap që qeverisja e ardhshme do ta ndërmarrë, duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund.
Faleminderit ekipit të jashtëzakonshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, aktivistëve, vullnetarëve, kandidatëve, shtabit dhe të gjithë bashkëpunëtorëve, për punën, përkushtimin dhe besimin e palëkundur gjatë gjithë kësaj fushate.
Rrugëtimi ynë për një Prishtinë më të mirë vazhdon, me të njëjtin besim dhe dashuri për Prishtinën tonë. 💙
