Komuna e Prishtinës ka paguar një shumë marramendëse prej mbi 2.2 milionë eurosh vetëm gjatë muajit qershor 2025 për vendime gjyqësore. Sipas raportit zyrtar të shpenzimeve të përpiluara nga Drejtoria e Financave, janë të paktën nëntë drejtorë dhe sektorë që kanë ekzekutuar pagesa për vendime gjyqësore, duke ngarkuar një barrë të rëndë financiare për buxhetin komunal, shkruan Demokracia.com.
Drejtoria e Administratës mban rekordin me mbi 768 mijë euro, ndjekur nga Shëndetësia me 360 mijë euro dhe Shërbimet Kulturore me rreth 350 mijë euro. Edhe sektorë si Sporti, Arsimi dhe Shërbimet Sociale kanë kontribuar me shuma të konsiderueshme që i janë paguar personave fizikë ose juridikë, si rezultat i vendimeve të formës së prerë nga gjykatat.
Në total, Komuna ka transferuar 2,263,958.06 euro në emër të borxheve të akumuluara për shkak të kontesteve gjyqësore, duke e bërë këtë një nga shpenzimet më të mëdha të muajit, përtej investimeve në projekte kapitale ose shërbime direkte për qytetarët.
Pagesat për vendime gjyqësore në muajin qershor 2025:






Kjo grafikë paraqet shpërndarjen e shumës totale prej mbi 2.2 milionë euro të paguar nga Komuna e Prishtinës për vendime gjyqësore vetëm në muajin qershor 2025.
Siç shihet se Administrata ka mbuluar rreth një të tretën e kësaj shume. Shëndetësia, Kultura, dhe Sporti & Rekreacioni janë gjithashtu ndër kontribuesit më të mëdhenj. Ndërsa Bujqësia dhe Inspeksioni përfaqësojnë një pjesë simbolike, por megjithatë të rëndësishme në kontekstin e përgjegjësisë institucionale.
Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinës, në raportin financiar për muajin qershor 2025, ka deklaruar se ka shpenzuar gjithsej 11,590,975.76 euro, prej të cilave 3,572,120.64 euro janë raportuar si investime kapitale.

Në këtë raport thuhet se për projektin e nenkalimit të rrugës “Agim Ramadani” janë shpenzuar 47,406.12 euro nga Drejtoria e Investimeve Kapitale. Megjithatë, për të njëjtin projekt në qershor figuron një shumë prej 82,673.92 euro, ndërkohë që regjistrohen edhe pagesa të tjera për projekte të ndryshme kapitale.
Në të vërtetë, Komuna ende nuk e ka nisur investimin në këtë vend, ndërsa dyshohet se këto shuma mund të jenë alokime buxhetore për pagesa të gjykatave, të cilat janë klasifikuar si investime. Në këtë mënyrë, shifra totale e shpenzimeve për investime kapitale në Prishtinë për muajin qershor mund të jetë rritur artificialisht.

Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme për dështimet në menaxhimin financiar dhe dëmet buxhetore që kapin vlerën prej 10.5 milionë euro të paguara nga Komuna e Prishtinës për vendime gjyqësore në vitin 2024, Demokracia.com ditë më parë ka raportuar një tjetër fakt nga raporti zyrtar i Zyrës Kombëtare të Auditimit, vetëm për kamata dhe procedura përmbarimore, komuna ka shpenzuar 1,074,473 euro gjatë vitit 2024.
Kjo shifër nuk ka të bëjë me pagesën e vetë borxheve, por përfaqëson vetëm dëmin dytësor, pasojën direkte të vonesave në përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj operatorëve ekonomikë. Në vend që të paguante në kohë, komuna ka lejuar që faturat të zvarriten për muaj të tërë, duke ua lënë gjykatave dhe përmbaruesve të mbledhin borxhin me të gjitha kamatat e mundshme.

Ligji për Menaxhimin e Financave Publike është i qartë se çdo faturë duhet të paguhet brenda 30 ditësh nga pranimi. Por, sipas ZKA-së, në shumë raste faturat janë lënë pa u paguar për më shumë se 10 muaj, me raste të identifikuara ku vonesat kapin deri në 316 ditë.
Auditorët kanë gjetur se komuna, në vend të paguajë me kohë për mallrat dhe shërbimet që ka marrë, ka prodhuar vetë dëmin financiar. Sipas testimeve te ZKA, në vitin 2024, janë paguar 3.5 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore, prej të cilave rreth 1 milion janë humbje të pastra në emër të kamatave dhe shpenzimeve të përmbaruesve.
Kontrata pa para dhe menaxhim i keq
Në arsyetimin e dhënë nga ZKA, renditen disa nga shkaqet kyçe të kësaj situate:
Lidhje e kontratave publike pa mbulim të mjaftueshëm financiar
Mungesë kontrolli në ekzekutimin e pagesave
Vonesa në përgatitjen dhe kompletimin e dokumentacionit për pagesa
Pra, nuk është fjala për një rast të izoluar , vetem për kontratën kolektive në arsim, por për një dështim sistematik të menaxhimit financiar, që po sjell dëme reale dhe të matshme në buxhetin komunal.
Zyra Kombëtare e Auditimit rekomandon që kryetari i komunës të marrë masa urgjente për forcimin e kontrollit mbi procesin e menaxhimit të faturave, në mënyrë që asnjë pagesë të mos vonohet jashtë afatit ligjor. Vetëm kështu, sipas ZKA-së, mund të parandalohet që qytetarët të paguajnë sërish për paaftësinë dhe papërgjegjësinë institucionale.
Menaxhmenti i Komunës ka deklaruar se “pajtohet” me gjetjet dhe rekomandimet e auditorëve.
Demokracia.com ka raportuar se, sipas raportit financiar për vitin 2024, Komuna e Prishtinës ka paguar në vitin 2024, 10.5 milionë euro për vendime gjyqësore dhe përmbarime.
“Nëpërmes Thesarit, MF për përmbarime dhe vendimeve gjyqësore është ekzekutuar shuma prej: 10,582,866.64€. Në kategorinë e pagave dhe meditjeve kemi kompensime për paga jubilare dhe shujta ditore etj. Në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve: kompenzim dëmi, kompensim dëmi jo material, lëndë përmbarimore etj. Në kategorinë e shpenzimeve kapitale kemi lëndë: kompensim i pronës, shpronësim, kompenzim për inflacion, etj”, thuhet në raportin që e ka parë Demokracia.com.
Nga kjo shumë:
3.7 milionë euro janë marrë nga paga dhe mëditje për kompensime të ndryshme.
714 mijë euro janë paguar për mallra dhe shërbime.
6 milionë euro janë paguar për investime kapitale, kryesisht për kompensime të pronave dhe shpronësime.

Fakti që komuna është e detyruar të paguajë shuma kaq të mëdha përmes përmbaruesve privatë tregon se institucionet kanë dështuar të përmbushin obligimet në kohë, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme financiare.
Buxheti i Komunës së Prishtinës po përballet me një barrë të rëndë financiare, siç dëshmohet nga raportet e fundit për vitin 2014 për detyrimet kontingjente dhe shpenzimet për përmbarime. Sipas të dhënave të publikuara, detyrimet kontingjente të komunës arrijnë në një total alarmues prej 80.2 milionë euro.
Sipas raportit të komunës, detyrimet kontingjente janë:
Janar – dhjetor 2024
Paga dhe mëditje: 776 mijë euro
Mallra dhe shërbime: 19.8 milionë euro
Shpenzime kapitale: 59.6 milionë euro
Lëndë të papërcaktuara: Shuma e paspecifikuar.

Fjala ‘kontingjente’ në këtë kontekst sugjeron detyrime apo pagesa që janë të pashmangshme dhe mund të lindin nga një çështje ligjore apo situatë e paparashikueshme. ‘Zyra e përfaqësimit juridik’ do të thotë që është një departament ose një entitet që përfaqëson ose mbron interesat juridike të një organizate apo entiteti. Kështu, ‘Raporti i detyrimeve kontingjente nga Zyra e përfaqësimit juridik’ do të jetë një dokument që dokumenton detyrimet ose pagesat e mundshme, të cilat organizata ose entiteti mund të përballet me bazë në çështje ligjore aktuale apo të ardhshme.
“Detyrimet kontingjente janë pretendime financiare që mund të shndërrohen në obligime vetëm nëse konfirmohen nga vendime gjyqësore përfundimtare. Në rastin e Kryeqytetit, rreth 58 milionë euro nga këto detyrime janë fituar në shkallën e parë të gjykatës, ndërsa pjesa tjetër përfshin procese ende në shqyrtim ose pa vendim të formës së prerë. Si çdo komunë në Kosovë, Kryeqyteti ka të drejtën ligjore të padisë dhe të paditet, por kjo nuk nënkupton automatikisht përgjegjësi financiare”, kanë bërë të ditur nga Komuna. /Demokracia.com/
