Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë, ish-Komandanti i NATO-s, Wesley Clark, është përplasur me Prokurorin e Speciales në lidhje me kthimin e gjeneralëve serbë në Kosovë pas çlirimit. Prokurori u ankua se Clark nuk po i përgjigjej pyetjeve, ndërsa Clark tha se nuk mund të përgjigjet direkt pa e sqaruar deklaratën e tij që e ka dhënë për mbrojtjen.
Pjesë nga përplasja e Clark-it me Prokurorin:
Dhe në pozitën tuaj si Komandat i NATO-s, keni mbetur të shqetësuar për gjeneralët serbë që kërcënonin se do të ktheheshin në Kosovë edhe pas shtatorit 1999. Apo jo?
Unë mbeta i shqetësuar për agresionin e mundshëm serb në rajon, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Mal të Zi. Kishte një arsye për këtë.
Pra, kur dje thatë se gjeneralët serbë po jepnin dezinformata, nuk donin të pranonin humbjen, ende kishit një shqetësim real se ata mund të ktheheshin.
Ta them kështu: po të më kishit pyetur atëherë “a po kthehen?”, do të kisha thënë jo. Po të më kishit pyetur se cila ishte përgjegjësia ime, ajo ishte të sigurohesha që të mos ktheheshin. Dhe për këtë arsye ishte përgjegjësia ime t’i bëja të qartë komandës rrezikun e mundshëm dhe të sigurohesha se nuk kishte vetëkënaqësi nga ana e komandës.
Kishte dy komandantë që punonin për mua, përfshirë Mike Jackson.
Në fakt, nuk ju pyeta asnjërën nga ato. Pyetja ime ishte: a kishit ju personalisht një shqetësim real se ata mund të ktheheshin?
E di që nuk më pyetët për ato, por zoti prokuror, nëse më lejoni të kuptoj drejtimin e kësaj bisede… e kuptoj që po përpiqeni të tregoni diçka, ndërsa unë po përpiqem të shpjegoj pse kam bërë deklaratat që kam bërë.
Jo sepse kishte një gjendje lufte apo konflikt të vazhdueshëm, por për shkak të mungesës së një zgjidhjeje përfundimtare, për shkak të informacioneve të vazhdueshme që merrja për deklaratat serbe dhe gjëra të tjera, si dhe për shkak të zemërimit e belligerencës në ushtrinë serbe pas tërheqjes.
Dhe për faktin se Millosheviçi ishte një njeri i zgjuar e dinak, me shumë mënyra për të vepruar. Pra, nëse më kërkoni të jap gjykim 25-26 vjet më vonë se a kishte gjasa që Serbia të rikthehej, sot është e lehtë të thuhet se sigurisht që nuk kishte gjasa.
Dhe kur Mike Jackson shkroi librin e tij 10-15 vjet pas ngjarjes, sigurisht që të gjithë e dinin se Serbia nuk do të hynte sërish në Kosovë. Por në atë kohë, unë do të kisha qenë i papërgjegjshëm nëse thosha: “Zotërinj, mbaroi. Tani relaksohemi sikur jemi në paqe të plotë”.
Kjo do të ishte një qasje e papërshtatshme për një komandant në terren.
E kuptoj që këtë duhej ta projektonit si komandant në terren. Pyetja ime është vetëm për ju personalisht. A ishit ju personalisht të shqetësuar për kërcënimet e gjeneralëve serbë se do të ktheheshin?
Duhet të kem qenë disi i shqetësuar, përndryshe nuk do të kisha thënë asgjë. Por nga ana tjetër, ishte përgjegjësia ime. Kujtoni, kur përfundoi konflikti, ai u mbyll me përpjekjen e rusëve për të diskredituar dhe shkatërruar operacionin e NATO-s përmes çështjes së aeroportit të Prishtinës.