Bashkimi Evropian ka dalë sërish me deklaratë lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, që do të hyjë në fuqi sot, duke i kërkuar Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut.
Në një deklaratë të zëdhënësit të BE’së, thuhet se Bashkimi Evropian është i shqetësuar për pasojat që ky vendim vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën “për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake”.
“BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia. BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment. Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre”, thuhet në deklaratë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka konfirmuar mbrëmë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila vendos që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme, do të hyjë në fuqi të enjten më 1 shkurt, ashtu siç parashihej.
Bislimi, megjithatë, tha se do të sigurohet tranzicioni i lehtësuar. Ai nuk tregoi se sa do të zgjasë periudha e tranzicionit.
“Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfereve nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës së një shteti tjetër”.
Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë kërkuar që Kosova të pezullojë zbatimin e rregullores.
Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e QUINT-it thanë se pezullimi i vendimit do të duhej të bëhej për të “mundësuar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik”.
“Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, u tha në deklaratë.
Ambasadorët e QUINT-it thanë se rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme, që pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt, synon të reduktojë paratë e falsifikuara dhe të ruajë stabilitetin financiar, por po ashtu “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.
“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia”, u tha në deklaratën e ambasadorëve të QUINT-it.
Deklarata e plotë e BE’së:
Bashkimi Evropian i kushton vëmendje rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave.
BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia. BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.
Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre.
BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.