Para dy ditëve u raportua se një vajzë 23-vjeçare, me probleme të shëndetit mendor, me nënshtetësi të Shqipërisë, u dhunua seksualisht në komunën e Pejës. E sot, detaje jashtëzakonisht interesante për zhvillimin e rastit janë bërë të ditura.
Shtetasja shqiptare – siç kishte njoftuar Policia e Kosovës – ishte raportuar si e zhdukur në Policinë e Shtetit të Shqipërisë.
Pasi ishte gjetur, 23-vjeçarja ishte dërguar në Emergjencë për kontroll mjekësor, nën dyshimin se ajo ishte dhunuar. E reja nga Shqipëria ishte dërguar më pas për ekzaminim edhe në IML, Institutin mjeko-ligjor.
E sot nga Prokuroria e Pejës, na kanë konfirmuar se për këtë rast janë arrestuar dy persona.
Sipas informacioneve jo zyrtare, njëri nga të arrestuarit dyshohet të jetë babai i ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Veton Berishës.
Ne kemi kontaktuar me ish-deputetin që vjen nga radhët e komunitetit egjiptian. Ai e ka kofirmuar se është njoftuar nga fqinjtë për arrestimin e prindit, por nuk kishte dijeni për diçka më shumë.
Normalisht, për të bëmat e familjarëve nuk janë përgjegjës persona të tjerë, megjithatë z.Berisha ka qenë deputet për kohë të gjatë, dhe përbën interes publik një raport i tillë.
Personat e përmendur janë të pafajshëm deri në vendimin e gjykatës. Aktualisht këta janë vetëm të dyshuar dhe Prokuroria pritet të zhvillojë hetime./Nacionale