Sot përkujtohen 28 vjet nga vdekja e Shën Nënë Terezës
Prishtinë, 5 shtator 2025 – Sot mbushen 28 vjet nga ndarja nga jeta e shenjtores shqiptare dhe humanistes së madhe botërore, Shën Nënë Tereza. Me këtë rast, në orën 11:00 do të mbahet një meshë solemne në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, kushtuar jetës dhe veprës së saj.
Thirrja për besimtarët dhe qytetarët
Organizatorët kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë në këtë meshë, duke kujtuar fjalët dhe veprën e saj:
“Shën Nënë Tereza asnjë vepër të saj nuk e ka nisur pa adhuruar Zotin në Eukaristi. T’i përngjajmë edhe ne asaj me lutje e adhurim. E Lumja Nënë Tereza – Lutu për ne! Ejani ta nderojmë bijën tonë të shenjtë, Nënën e Njerëzimit, Ambasadoren e popullit tonë të lashtë!”
Jeta dhe veprat e Nënë Terezës
Shën Nënë Tereza, e lindur më 26 gusht 1910 në Shkup me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ishte një humaniste e shquar shqiptare dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqen (1979).
Deri në mesin e viteve ’80, vepra e saj ishte madhështore:
-
kujdesej për 7.500 fëmijë në 60 shkolla,
- Advertisement - -
mjekonte 960.000 të sëmurë në 213 dispanseri,
-
trajtonte 47.000 viktima të leprozës në 54 klinika,
-
kujdesej për 3.400 pleq të braktisur në 20 shtëpi pleqsh,
-
kishte birësuar 160 fëmijë jetimë dhe bonjakë.
Shenjtërimi i Nënë Terezës
Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë.
Më 19 tetor 2003, Vatikani e shpalli të lumturuar, ndërsa më 4 shtator 2016, Papa Françesku e shpalli zyrtarisht Shën Terezë të Kalkutës, pas njohjes së dy mrekullive të saj:
-
Shërimi i Monika Besra nga tumori në stomak (1998), i njohur nga Papa Gjon Pali II në vitin 2003.
-
Shërimi i një 25-vjeçari brazilian nga tumori në tru, i konfirmuar nga Papa Françesku në vitin 2015.
Trashëgimia shpirtërore
Shën Nënë Tereza mbetet një prej figurave më të ndritura të njerëzimit dhe krenari e popullit shqiptar. Ajo quhet shpesh “Nëna e Njerëzimit”, pasi vepra e saj ka tejkaluar kufijtë kombëtarë e fetarë duke përhapur dashuri, mëshirë dhe shpresë për miliona njerëz.
