22.5C
Pristina
7 Maj, 2021 - 15:59

Zyrtare: Anulohet ndeshja Manchester United-Liverpool

Ndeshja mes Manchester Unitedit dhe Liverpoolit në Premierligë, është shtyrë për një datë ende të papërcaktuar, për shkaqe sigurie pas futjes së dhunshme të tifozëve në stadiumin Old Trafford.

Ndeshja duhej të fillonte në orën 17:30, por është pezulluar për çështje sigurie dhe do të zhvillohet në një datë tjetër, konfirmon Unitedi, raporton Gazeta Express.

Në një komunikatë për media, Unitedi konfirmoi se ndeshja u shty për një datë tjetër, ende të papërcaktuar.

“Pas bisedimeve mes policisë, Premierligës, Këshillit të Old Trafford dhe klubeve, ndeshja jonë kundër Liverpoolit është shtyrë për çështje të sigurisë për shkak të protestave të sotme”, thuhet në njoftimin e Unitedit.

“Do të bisedojmë me Premierligën për ricaktimin e datës së zhvillimit të kësaj ndeshjeje”.

Protestat e shumta të tifozëve të Unitedit pranë stadiumit dhe futja e tyre e dhunshme brenda stadiumit pak orë para ndeshjes, ishin shkaktarë të shtyrjes së takimit.

Ata protestuan kundër familjes Glazer, e cila e ka në pronësi klubin.

Tifozët u mblodhën edhe pranë hotelit të ekipit në Mançester, ku ekipi i Unitedit po qëndronte para ndeshjes së sotme.

Shumë tifozët të Unitedit ndihen ende të inatosur dhe të mllefosur me rolin e klubit si njëri prej themeluesve të projektit të propozuar për një Superligë Evropiane.

Pronari i Unitedit, Joel Glazer, i cili ishte emëruar zëvendëspresident i Superligës kur u njoftua krijimi i kësaj lige tashmë të dështuar, kërkoi falje në një letër të hapur drejtuar të gjithë tifozëve të klubit.

Unitedi ishte në mesin e nëntë klubeve që u tërhoqën nga Superliga.

Të fundit

Të tjera nga rubrika

Hapësirë reklamuese