-1.4C
Pristina
26 Janar, 2021 - 16:03

Zëdhënsi i PDK-së: Kushtetuesja veproi drejtë me vendimin për ndalim të kandidimit të të dënuarve

Veprim të drejtë e ka cilësuar aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndalimin e kandidimit për deputetë të personave të dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se vendimi i Kushtetueses, që ditë më parë e shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi për shkak të dënimit të tij për vepër penale dhe e çoi vendin në zgjedhje të reja, “është njëri nga veprimet më të mira afirmative në të mirë të demokracisë tonë”.

Kushtetuesja të mërkurën publikoi vendimin e plotë në rastin e deputetit Arifi duke çuar vendin në zgjedhje. Ndër konstatimet ishte se personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvend. Pasi që krerë të Lëvizjes Vetëvendosje ishin të dënuar me kusht para dy vjet e gjysmë, tema e lejimit të kandidimit të tyre apo jo ishte ndër kryesoret pas aktvendimit. Juristët janë të ndarë nëse Albin Kurtit e Albulena Haxhiut u lejohet të kandidojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Megjithatë, sipas PDK-së, aktvendimi është i qartë.

“Si aktivist politik e dikur edhe si aktivist i shoqërisë civile, dua të theksojë se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese që ndalon kandidimin dhe mbajtjen e pozitave zyrtare nga personat me të kaluar kriminale, pavarësisht natyrës së veprës, është njëri nga veprimet më të mira afirmative në të mirë të demokracisë tonë. Për një kohë të gjatë, shoqëria jonë ka dështuar që të vendos rend demokratik ku personat e akuzuar për korrupsion e të dënuar për vepra penale, mos të kandidohen, apo mos të emërohen në pozita zyrtare”, ka thënë Bytyçi.

Sipas tij, PDK-ja në këtë rast, tashmë ka vënë standard të ri, në këtë aspekt.

Ai ka thënë se të gjitha partitë duhet të pranojnë vendimin dhe të mos e kundërshtojnë.

“Për PDK-në, ka merita të veçanta ish lideri i saj, Kadri Veseli, i cili e kishte vendosur një standard të ri. Mirëpo, vullneti i mirë politik i një lideri, nuk mjafton për një shoqëri në tranzicion, siç jemi ne. Gjykata Kushtetuese edhe pse besoj përtej mandatit të saj, ka vepruar drejtë. Këtu nuk ka vend për debat, vendimi është i prerë, pa të drejtë ankese dhe i pakthyeshëm. Politikanët me partitë politike, mund të kërcënojnë sa te duan, mund edhe mos ta pranojnë në parim këtë vendim, por zbatimi i tij është i domosdoshëm. Atë që nuk e ka bërë kultura politike, e kanë bërë zyrtarët më të lartë të Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka arsyetim, krimi është krim, motivet ju bëhen të ditura atyre që e kanë shkelur ligjin e janë dënuar. Ndërsa neve na takon respektimi i plotë i këtij standardi të ri në demokracinë tonë. Çdo refuzim, ose imponim kundër këtij vendimi nga kushdo, është sulm ndaj rendit tonë kushtetues e demokratik, si në rastin e ShBA-së, duhet të has në refuzim nga të gjitha partitë politike në Kosovë. Institucionet e pavarura si Gjykata Kushtetuese dhe KQZ-ja nuk duhet të dorëzohen para kërcënimeve, sepse në mbrojtje të vlerave tona demokratike e kushtetuese, ata nuk janë të vetëm”, ka përfunduar ai.

Të fundit

Të tjera nga rubrika