8.1 C
Pristina
Friday, October 7, 2022
- Advertisement -

Zbulohen disa arsye pse Irani suImoj Shqipërinë!

Më 6 shtator të këtij viti, qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Vendimi erdhi pasi gjatë këtij viti, vendi u godit nga tre suIme kibernetike nga grupe iraniane hackerimi.

Hetimet, në bashkëpunim me SHBA-në, arritën në përfundimin se bëhet fjalë për grupe iraniane, të lidhur me strukturat shtetërore. Irani e quajti këtë vendim të pamenduar dhe të pabazuar në fakte.

- Advertisement -

Vendimi i qeverisë së Shqipërisë ishte i drejtë, thotë për Deutsche Welle-n Kolonel Dritan Demiraj, i cili shërbeu për 35 vite në Forcat e Armatosura Shqiptare, ku drejtoi një sërë misionesh luftarake në Lindjen e Mesme. “Vendimi i qeverisë shqiptare për të larguar personelin e ambasadës iraniane nga vendi erdhi në një moment kur prej disa vitesh personeli i kësaj ambasade ishte përfshirë në veprimtari, të cilat tejkalonin misionin e tyre diplomatik dhe dëmtonin sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, partnerëve tanë dhe qytetarëve të vendit tonë. Padyshim që është një vendim në kohën e duhur, i cili mund të jetë kërkuar edhe nga partnerët tanë më të rëndësishëm” – tha Demiraj për Deutsche Welle.

Sulmi kibernetik paralizoi infrastrukturën e rëndësishme

Dr.Afshin Shahi, profesor i asociuar dhe pedagog i politikës së Lindjes së Mesme dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në universitetin e Bradfordit në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se vendimi i qeverisë shqiptare që ndëpreu lidhjet diplomatike me Iranin, mund të shihet si akt vetë-mbrojtjeje. “Në botën që po jetojmë, siguria kibernetike është një nga parakushtet më të rëndësishme të drejtimit të një shteti. Ajo lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ekonomike, politike, ushtarake dhe shoqërore të çdo shteti. Sulmi kibernetik i Republikës Islamike paralizoi infrastrukturën e rëndësishme në Shqipëri. Ky është qartazi një veprim fyes i agresionit që shkel sovranitetin kombëtar shqiptar”, tha Shahi.

- Advertisement -

Pas ultimatumit të qeverisë shqiptare për largimin e stafit brenda 24 orëve, Teherani reagoi diplomatikisht. Ministria e Jashtme iraniane i konsideroi pretendimet për sulmet kibernetike “të pabaza” dhe fajësoi “palët e treta” për vendimin e Shqipërisë për të ndërprerë lidhjet me Teheranin. Ndërsa NATO dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë dënuan sulmet dhe konfirmuan mbështetjen e tyre ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për të minimizuar dëmet dhe për të rimarrë veten nga këto sulme.

Prania e rreth 3000 muxhahedinëve në Shqipëri është konsideruar si shkaku kryesor i kësaj “Iufte” kibernetike. Shqipëria, vend anëtar i NATO-s që nga viti 2009, strehon rreth 3000 muxhahedinë të grupit opozitar Iranian MEK, të cilët vendi i tyre i konsideron terroristë. Megjithatë, ekspertët në të dyja kampet e analizojnë ndryshe praninë e tyre. Për Kolonel Demirajn, njëkohësisht ish-ministër i Punëve të Brendshme, kjo tezë është pjesërisht por jo plotësisht e vërtetë. “Jo plotësisht, për shkak se në këndvështrimin tim mosmarrëveshjet midis dy vendeve kanë ekzistuar edhe përpara marrjes së vendimit për strehimin e muxhahedinëve të MEK-ut. Një arsye tjetër është se qeveria e Shqipërisë është e pozicionuar haptazi në krah të SHBA-së, dhe kjo padyshim që nuk është parë me dashamirësi nga regjimi i mullahëve në Teheran, që në të kaluarën është përpjekur të ndërmarrë edhe sulme kundër anëtarëve të MEK-ut në Shqipëri”.

Profesor Shahi argumenton, se megjithëse Shqipëria është një aleat i ngushtë amerikan dhe një vend anëtar i NATO -s, nuk ka mosmarrëveshje të mëdha me Republikën Islamike. “Problemet filluan vetëm pasi Shqipëria vendosi të strehojë 3000 anëtarë muxhahedinë të MEK. Edhe pse MEK janë një armik i Republikës Islamike, sipas ligjit ndërkombëtar Teherani nuk ka të drejtë të ndërmarrë një veprim të tillë agresioni. Edhe nëse shenjestër do të kishin qenë vetëm muxhahedinët, kjo mbetet gjithsesi një shkelje e qëllimshme e sigurisë kombëtare shqiptare”.

- Advertisement -

Albanien Iranische Opposition MEK Hauptquartier Vendstrehimi kryesor i MEK në Shqipëri pranë Durrësit
“Lufta” kibernetike që vjen nga Irani

Pak ditë më parë, stukturat policore në të gjithë Shqipërinë u detyruan të stakojnë sistemin TIMS, sistem i cili përmban të gjitha gjeneralitetet e qytetarëve shqiptarë dhe të huaj, që hyjnë e dalin në pikat kufitare të të gjithë territorit. Jo vetëm gjeneralitetet, por i gjithë historiku penal është pjesë e tij. Arsyeja e nxjerrjes nga puna për rreth 24 orë të kësaj databaze, ishte detektimi se ai mund të ishte hackeruar.

Pas sulmit, qeveria akuzoi sërish grupet iraniane të hackerimit, duke qetësuar qytetarët se nuk kishte rrjedhje të rëndësishme të të dhënave. Sulmi i parë u shënua në muajin maj ndaj faqes zyrtare administrata.al dhe i dyti në muajin korrik, ndaj faqes e-albania, aty ku shqiptarët aplikojnë për marrjen e shërbimeve publike.

Duke iu referuar një raporti të kompanisë “Microsoft”, qeveria shqiptare tha se dyshohen katër grupe hackerimi, njëri prej të cilëve i lidhur me EUROPIUM – grup i njohur publikisht për lidhjet me Ministrinë e Inteligjencës së Iranit.

Amin Sabeti, ekspert i sigurisë kibernetike në Iran, thekson se sulmet në internet kryhen nga hakera të lidhur me qeverinë iraniane, IRGC, dhe Ministrinë e Informacionit, të cilat shënjestrojnë kundërshtarët politikë, gazetarët dhe aktivistët si brenda e jashtë vendit, dhe spiunët e qeverisë. “Republika Islamike nuk kishte sulmuar kurrë një vend tjetër në këtë nivel më parë, dhe kjo është hera e parë që ata synuan infrastrukturën e një vendi tjetër”.

Ekspertët shqiptarë të kibernetikës janë të mendimit se në ditët e sotme duhet investuar më shumë tek siguria kibernetike. Redis Kostalli, konsulent i IT dhe themelues i “Cored”, thekson se sistemet shqiptare të sigurisë janë të prapambetura, me software të papërditësuar dhe vulnerabël, njëri prej të cilëve i tipit CVE-2019-0604. “Natyrisht, nëse niveli i sigurisë në serverat në fjalë mund të kishte qenë më i lartë, sulmet mund të ishin parandaluar. Por këtu po flasim në teori, pasi rrethanat mund të jenë varur nga shumë faktorë, dhe përgjegjësia do të përcaktohet nga organet përkatëse”, thotë ai për DW.

Në lidhje me kërcënimin e sigurisë kombëtare në rast se do të kishte sulme të tjera, Kolonel Demiraj mendon se Shqipëria, së bashku me partnerët e saj, është në gjendje të përballet me sukses në rast përshkallëzimi të situatës.

Analisti Shahi thekson, se NATO nuk ka zgjidhje tjetër përveç që të zgjerojë nocionin e saj të sigurisë kolektive dhe duhet të prezantojë parametra të rinj të sigurisë kibernetike, për të dërguar një mesazh të qartë se një sulm në internet kundër një anëtari të NATO-s është një sulm kibernetik kundër tërësisë së NATO-s.

Sipas Kostallit, institucionet shqiptare duhet të investojnë më shumë në teknologji. “Nuk po them që duhet pasur frikë nga sulmet kibernetike, po për t’u ndërgjegjësuar që bota e internetit është si ato milingonat që nuk pushojnë kurrë. Të dyja palët, mbrojtësit dhe sulmuesit, duhet të punojnë pa pushim. Ai që ndalon, humbet”./DW

- Advertisement -
Të fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -