Xherdan Shaqiri është i bindur se do të mirëpritet ngrohtë në Prishtinë, kur Zvicra të vijë për t’u përballur me Kosovën në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 në shtator.
Vendi i lindjes kundër vendit që e rriti dhe e bëri futbollist, kështu do të jetë për Shaqirin përballja Kosovë – Zvicër, megjithëse ylli i Chicago Fire do t’i mbrojë ngjyrat e helvetikëve.
Shaqiri do ta vizitojë Prishtinën më 23 shtator për ndeshjen e xhiros së pestë të Grupit I kualifikues për Euro 2024 mes Kosovës dhe Zvicrës.
Ai u lind në vitin 1991 në Gjilan, para se familja e tij të ikte në Zvicër një vit më vonë.
“Unë luaj për Zvicrën. Por unë u linda në Kosovë dhe i dua të dy vendet. Do të jap 100% për Zvicrën. Do të jetë një çast krenari sigurisht. Do ta shijoj çdo çast të lojës atje sepse do të vijë e gjithë familja ime. Do të jetë emocionale për mua. Dhe jam i sigurt se do të më mirëpresin shumë ngrohtë”, tha Shaqiri për The Guardian.
Shaqiri nuk e ka harruar asnjëherë vendlindjen dhe e ka shfaqur prejardhjen e vet gjithmonë edhe në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Në Kupën e Botës 2018, 31-vjeçari e vendosi flamurin e Kosovës në njërën këpucë, ndërsa atë të Zvicrës në tjetrën gjatë një ndeshjeje.
Ai tregoi për gazetën britanike se e kishte vizituar vendlindjen edhe menjëherë pas lutës.
“Shtëpia jonë ishte djegur tërësisht. Gjëra të ndryshme ishin shkruar në mure. Çdo gjë ishte e zbrazët”, theksoi ai.
Shaqiri është i dashur në Kosovë për rolin e tij dhe veçanërisht për festimin e golave kundër Serbisë në dy Kupa te Botës, përfshirë kur e bëri shqiponjën dykrenore me duar në Botërorin Rusia 2018.
Zvicra është lidere e Grupit I me një ecuri të përkryer, pasi i fitoi dy ndeshjet e para, duke i shënuar tetë gola dhe duke mos e pranuar asnjë.
Kosova, ndërkohë, është e treta me vetëm dy pikë pas dy barazimeve zhgënjyese në dy ndeshjet e para në mars.
Ndeshja mes tyre në shtator pritet të jetë përcaktuese, sidomos për fatin e Kosovës në tentim për t’u kualifikuar në një evropian për herë të parë.