fbpx
1.1 C
Pristina
E martë, 31 Janar, 2023

Vuçiq tregoi se çfarë e gjen, por edhe për Kosovën ka pasoja nëse etiketohet si refuzuese

- Advertisement -

Duhet Lexuar

Bashkimi Europian dhe SHBA kanë avancuar mjaftë në diskutime për planin franko – gjerman me të cilin synojnë të mbyllin për një kohë telashet Kosovë-Serbi. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u tha serbëve dje në një konferencë për media se pesë diplomatët kanë folur me të me gjuhë ultimative duke i treguar edhe pasojat nëse e refuzojnë planin.

Por, çfarë i ndodhë Kosovës nëse del në një pozicion të tillë. Nënkryetari i LDK’së Lutfi Haziri druan se refuzimi eventual e fuqizon rezolutën 1244. Ndërsa ish-diplomati Timothy Less ka treguar se çfarë do të mund të përballjej Kosova nëse shpallet fajtore për dështimin e marrëveshjes.

Një delegacion i përbërë nga pesë diplomatë europianë dhe amerikanë ishte së fundmi në Prishtinë dhe Beograd. Qëllimi tashmë dihet. Ndërkombëtarët duan një marrëveshje bazë mes Kosovës dhe Serbisë.

- Advertisement -

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e më pas presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, folën për rreth dy orë secili me diplomatët perëndimorë lidhur me propozimin europian për marrëveshjen që synohet të arrihet shpejt. Një version i ri, i përditësuar, i këtij propozimi, iu dorëzua palëve në fund të vitit të kaluar.

Plani parasheh të drejta të barabarta për të dy shtetet, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Njohja e ndërsjellë apo anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk përmenden, por theksohet mbështetja që palët duhet t’ia japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve europiane.

Kurti vazhdon ta konsiderojë bazë të mirë propozimin europian, por ai nuk tregoi shumë hollësi për takimin në zyrën e tij të premten.

“Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilin Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër. U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gusht 2022 në Bruksel. Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, theksoi nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantike”, shkroi Zyra e Kryeministrit në një komunikatë për media pas takimit.

- Advertisement -

Të nesërmen, diplomatët shkuan te Vuçiqi në Beograd. Presidenti serb është shprehur i gatshëm për të diskutuar rreth këtij propozimi. Në një konferencë për media të hënën, Vuçiq tha se i kanë thënë se “duhet ta pranoni këtë plan”.

Deklaratat e Vuçiqit erdhën pasi ai mori pjesë në një mbledhje të Qeverisë së Serbisë, ku u tha se presidenti serb e njoftoi kryeministren dhe ministrat për dialogun. Siç njoftoi Qeveria serbe, në takim u pajtuan “që presidenti, qeveria dhe të gjitha autoritetet ekzekutive të punojnë në mënyrë të sinkronizuar dhe të unifikuar”.

Pasojat e refuzimit

- Advertisement -

Michael Martens, gazetar i Frankfurter Allgemeine Zeitunge, nxori disa detaje nga vizita e fundit e diplomatëve perëndimorë në Prishtinë dhe Beograd.

Duke evidentuar se Kurti po gjen arsyetime për të mos e formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Martens tha se ai ua vuri një kusht diplomatëve.

“Thuhet se kryeministri i Kosovës Kurti ka vënë një kusht: Për ta pranuar propozimin e Perëndimit për zgjidhje, atij i duhen garanci se 5 shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, do ta bëjnë këtë. Kurti dyshohet se ka kërkuar që kjo të përfshihet në propozim”, shkroi Martens në Tëtitter, duke shtuar se këtë kërkesë s’mund t’ia plotësojnë europianët.

Sipas tij, “duket se Perëndimi përpiqet ta përfytyrojë Kurtin si një egomaniak kokëfortë që nuk e kupton potencialin e ofertës perëndimore”.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha të hënën në DPT te Fidani në T7 se për propozimin europian “ka hezitime të mëdha në Prishtinë”

“Ka luhatje të madhe, ka mosbesim të madh dhe ka mosbashkëpunim të madh me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha ai, dhe shtoi se “kryeministri s’po dëgjohet këto ditë”.

“Nuk do të doja në asnjë rrethanë ta shoh ngjalljen e 1244-shit (Rezolutës së Këshillit të Sigurimit që e përcakton statusin politik të Kosovës si protektorat të OKB-së), sepse kjo do të ishte katastrofale për Kosovën”, tha ai.

Ish-diplomati britanik, Timothy Less beson se Vuçiq “po përgatitet ta ndërmarrë një hap jopopullor”.

Less i ka thënë Gazetës Express më herët se Kosova mund t’i ketë disa pasoja nëse do ta refuzojë planin, që përfshin krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Nëse Serbia është e gatshme të arrijë një marrëveshje që përfshin njohjen, atëherë suksesi i saj përfundimtar do të varet nga vullneti i qeverisë në Kosovë për të krijuar Asociacionin. Duke vepruar kështu, padyshim që do të binte ndesh me atë që zoti Kurti ka thënë dhe bërë në të kaluarën, dhe ai do ta pranonte këtë vetëm me ngurrim ekstrem”, ka thënë Less.

“Megjithatë, nëse qeveria refuzon ta bëjë këtë, atëherë aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE do të refuzohet. Potencialisht, SHBA-ja mund të përpiqet ta projektojë rënien e qeverisë, siç ndodhi në vitin 2020. Perëndimi gjithashtu mund t’i kënaqë përpjekjet e Serbisë për të ushtruar presion mbi Kosovën, për shembull, duke lejuar serbët ta vazhdojnë bojkotin e tyre ndaj institucioneve”, ka theksuar studiuesi në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge-it.

Vuçiq tha vetë të hënën se e kanë paralajmëruar për pasojat nëse ai refuzon propozimin e Perëndimit.

“Nuk ka progres për ne nëse nuk bashkëpunojmë për këtë çështje”, ka thënë Vuçiq, dhe ka shtuar se nëse Serbia do të refuzonte të bisedonte, përveç bllokimit të integrimeve dhe ndaljes së investimeve, do të ballafaqohej edhe me regjimin e vizave.

“Do të ndodhë pas pesë, tre muajsh, apo një viti… Jam i shqetësuar, nuk dua t’i fsheh problemet nën tapet. Erdhën të pestë, përfaqësuesit e tre vendeve më të mëdha europiane… Në fjalinë e dytë më thanë se duhet ta pranojmë këtë plan dhe nëse nuk e pranojmë – sepse mendojnë se duhet pranuar – ne do të përballemi me ndërprerjen e procesit të integrimit europian, do të përballemi me ndalimin dhe tërheqjen e investimeve, do të përballemi me masa të gjithanshme në kuptimin politik dhe ekonomik”, ka thënë ai.

Asociacioni, problemi më i madh

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet pasi erdhi në Prishtinë dhe u takua me kryeministrin Albin Kurti, tha se ka kërkuar krijimin e Asociacionit. Kjo tashmë është kërkesë e prerë e SHBA-së. Pas kësaj, Kurti tha se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të adresohet brenda një marrëveshjeje të mundshme për normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Kurti lëvizi nga qëndrimi se nuk mund të ketë Asociacion njëetnik, pasi thotë se asisoj shkelet Kushtetuta.

“Vuçiqit i thashë se kam krijuar përshtypjen se ai nuk e dëshiron asociacionin e komunave, sepse nuk mund të duash asociacion të komunave dhe ta thuash çdo javë: Nuk do ta njoh shtetin e Kosovës. Ju nuk mund të shërbeni një makiato kafeje pa një filxhan kafeje. Por të drejtat e pakicave janë një pjesë shumë e rëndësishme e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Pra, kur të arrijmë në atë pikë, Serbia mund të bëjë një propozim se si ta zgjidhë atë. Po kështu do të mund të bëjmë propozime për çështje që i konsiderojmë të rëndësishme për pakicat në Serbi”, ka thënë Kurti në një nga intervistat e fundit, për gazetën austriake, Der Standard.

Tani, duke ndjekur planin e Francës dhe Gjermanisë, Kurti tha se “kemi hyrë në një fazë të re”.

Në Beograd, ndërkohë, insistojnë në krijimin e Asociacionit.

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ishte pjesë e delegacionit që e takoi Kurtin të premtën. Ai ka thënë të hënën në një intervistë për radio televizionin kroat, HRT se Kosova ka brenga mbi çështjen e Asociacionit. Por, ai beson se do të arrihej ajo çfarë ata duan.

“Ata kanë brengat e tyre. Mendoj se kemi ende punë për të bërë, por besoj se do ta arrijmë qëllimin. Kosova ka mbështetjen e plotë të SHBA-së, është një partnere e mirë, dhe s’kam ndonjë dyshim në këtë gjë. Besoj se do të arrijmë çfarë duam”, ka thënë Escobar.

SHBA-ja, specifikisht, po angazhohet që ta organizojë një diskutim rreth Asociacionit. Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, konfirmoi se është ftuar për të marrë pjesë në këtë diskutim të planifikuar për 31 janar.

Kjo nismë pasoi deklaratat e fundit të Gabriel Escobar. Diplomati amerikan ka thënë së fundmi në një intervistë për Zërin e Amerikës se “një person, një palë nuk mund të shmangë atë (Asociacionin)”.

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill ka thënë të martën se fillimisht duhet që të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe pastaj të procedohet me planin franko-gjerman.

Lutfi Haziri thotë se “problemi më i madh i z. Kurti për Asociacionin është z. Kurti opozitar”./Express

- Advertisement -

Të fundit

Vuçiq takohet me Dodik, diskutojnë edhe për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar me presidentin e Republikës Serbe, Milorad Dodik, me të cilin ka diskutuar...
- Advertisement -

Më shumë

- Advertisement -