Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prishtinën gjatë mbrëmjes, ku një grua ka humbur jetën pas disa të shtënave me armë zjarri. Sipas raportimeve, viktima dyshohet se është gruaja e Naim Murselit, ish këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit.
Rastin për Nacionalen e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti. Ajo ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 20:20. Sipas zëdhënëses, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri.
“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri. Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti.
Nacionale ende nuk ka arritur të siguroj më shumë detaje rreth ngjarjes, por sipas burimeve të Sinjalit, viktima është gruaja e Naim Murselit, ish këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit.
Gazeta Sinjali më tej ka raportuar se “rasti dyshohet të ketë ndodhur gjatë kohës kur Murseli bashkë me gruan e fëmijët ndodheshin në veturë, kur papritmas ua kanë zënë pritën me veturë disa grabitës, të cilët i plaçkitën”.
“Bazuar në deklaratën e Murselit që e ka dhënë para hetuesve policorë, i njëjti ka deklaruar se hajnat fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat. Kjo situatë e tmerrshme dyshohet se e detyroi Murselin që t’i largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri”, shkruan gazeta.