23.2 C
Pristina
Wednesday, June 29, 2022

Von Cramon: E këshilluam Kosovën që të mos apIikojë në Këshillin e Evropës pa i siguruar votat

Raportuesja për Kosovën dhe deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon ka thënë se Qeveria e Kosovës ishte këshilluar nga partnerët evropianë që të mos dorëzonte aplikacionin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës pa siguruar shumicën e votave, duke lënë të kuptohet këto këshilla janë shpërfillur.

“Ndonëse shumë njerëz mbështesin aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, të gjithë ata këshilluan Qeverinë që të pres për ta dorëzuar aplikacionin për t’u siguruar se ekziston shumica (e votave) në Këshill përpara aplikimit. Pak-a-shumë këtë thanë të gjithë partnerët ndërkombëtarë”, ka shkruar ajo.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Vetëm tetë ditë pas, më 20 maj, u mbajt seanca e Komitetit të Ministrave në Torino të Italisë, ku nuk u shqyrtua aplikimi i Kosovës për anëtarësim. Tani, Kosova duhet të presë që aplikacioni për anëtarësim në Këshillin e Evropës të shqyrtohet tek në majin e vitit të ardhshëm. Seanca e 133 e Komitetit të Ministrave do të mbahet në kryeqytetin e Islandës, Rejkjavik në maj të vitit 2023.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Von Cramon, ka shkruar sot në Twitter lidhur me zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë për edicionin e sivjetmë, duke kritikuar Qeverinë e Kosovës që sipas saj, është dashur të bëjë përpjekje më të mëdha për ta mbajtur brenda vendit.

- Advertisement -

Për këtë reagim, ajo ka marrë kritika dhe lëvdata nga disa komentues. Njëri prej tyre pyet eurodeputeten nëse po merr anë kundër Qeverisë krah një kompanie biznesi dhe nëse e konsideron Kosovën si vend sovran. Ndërsa komentues të tjerë çmojnë rolin e saj në raport me Kosovën, duke e vlerësuar kontributin e saj në rrugën e Kosovës drejt BE-së.

Duke iu përgjigjur komenteve në këtë reagim, ajo mes argumentimit gjatë debatit, ka përmendur edhe këshillat që partnerët evropianë i dhanë Kosovës për synimin e saj që të bëhet pjesë e organizatës Këshilli i Evropës./express

Të fundit
Lajme të lidhura