10 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Vodhi vota për LDK’në, dënohet me 11 muaj burgim

- Advertisement -

I akuzuar për vjedhjen e votave për Lidhjen Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Dardan Blakaj sot gjykata e ka dënuar me 11 muaj burgim, shkruan Insajderi.

- Advertisement -

Ky dënim u shqiptua pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë.

Përveç, Blakajt akuzohen edhe ish-deputeti i LDK-së, Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala, Tahir Shala dhe Sylë Balaj, të cilët në seancën e 17 marsit 2023, ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

- Advertisement -

Sipas këtij aktgjykimi, për veprën penale “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit” Blakaj u dënua me 6 muaj burgim, ndërsa për veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” i njëjti u dënua me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj.

Ndaj tij, u shqiptua dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 11 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale gjatë periudhës verifikuese prej 1 viti.

Sipas gjykatësit Konxheli, gjykata në bazë të marrëveshjes për pranim të fajësisë, ka aprovuar edhe propozimin që dënimi plotësues i propozuar në aktakuzë ndaj të njëjtit të mos aplikohet.

- Advertisement -

Blakaj, po ashtu u obligua që të paguaj edhe shpenzimet procedurale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 euro dhe 100 euro tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Palët kanë hequr dorë nga e drejta e ankesës.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë, të mbajtur në të njëjtën ditë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykatësi Konxheli ka thënë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe i akuzuari Blakaj kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë, marrëveshje kjo e datës 12 prill 2023.

Lidhur me këtë, prokurori special Ilir Morina, ka thënë se PSRK-ja ka pranuar kërkesën e avokatit mbrojtës për fillimin e procedurës së negocimit të marrëveshjes së pranimit të fajësisë dhe pas marrjes së autorizimit nga kryeprokurori i PSRK-së është mbajtur seanca e cila ka rezultuar me marrëveshje për pranim të fajësisë.

Sipas prokurorit Morina, i akuzuari Blakaj ka pranuar fajësinë për dy veprat penale si në aktakuzë dhe se palët janë pajtuar për dënimin e rekomanduar.

Ai tha se dënimi i rekomanduar sipas kësaj marrëveshje është dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj për veprën penale “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit”, dhe 6 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”, kurse dënimi unik të jetë dënim me burgim në kohëzgjatje prej 11 muaj

“Dhe në bazë të nenit 51 të urdhërohet që ky dënim të mos ekzekutohet, pra të jetë i kushtëzuar nëse personi i dënuar nuk kryen vepër tjetër penale gjatë periudhës kohore prej 12 muaj. Si rezultat i negocimit jemi pajtuar që gjykatës t’i propozojmë që dënimi plotësues i propozuar në aktakuzë të mos shqiptohet”, ka thënë tutje prokurori Morina.

Gjithashtu, i njëjti i ka propozuar gjykatës që këtë marrëveshje ta aprovoj si të plotë dhe shtoi se nëse gjykata e aprovon këtë marrëveshje heqin dorë nga e drejta e ankesës.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Blakaj, avokati Ilaz Rudaku dhe vet Blakaj i kanë propozuar gjykatës që të aprovohet marrëveshja për pranim të fajësisë ku sipas tyre pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare.
Ata deklaruan se në tërësi pajtohen me dënimin e rekomanduar i cili është pjesë e marrëveshjes.

Me pas, këtë marrëveshje për pranim të fajësisë e ka aprovuar gjykata.

“Duke u bazuar në nenin 230 të Kodit të Procedurës Penale paragrafi 20, pasi që është bindur se janë përmbushur të gjitha kushtet parapara gjykata pranon marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe urdhëron që marrëveshja të vendoset në shkresat e lëndës të kësaj gjykate”, tha gjykatësi Konxheli.

Më 3 mars, kishte dështuar gjykimi për këtë rast pasi gjykatësi ishte jashtë shtetit.

Ndryshe, në seancën e 26 janarit 2023, Gjykata kishte kërkuar rinegocim të marrëveshjes së arritur ndërmjet prokurorisë dhe të akuzuarit Milot Blakaj për keqpërdorim të votave. Më 31 janar ishte aprovuar marrëveshja për pranim fajësie, ku i akuzuari ishte dënuar me 20 muaj burgim me kusht.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala, Tahir Shala, Milot Blakai. Dardan Blakaj dhe Syle Balaj, nga muaji janar deri në muajin mars të vitit 2021, me dashje dhe ne bashkëkryerje me njëri tjetrin e kanë keqpërdorur të drejtën e votimit duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri, me qëllim të sigurimit të votave për të pandehurin Shkumbin Gashi, kandidat për deputet nga radhët e subjektit politik “Lidhja Demokratike e Kosovës” (LDK) në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 14 shkurt 2022.

Në aktakuzë thuhet se, në atë mënyrë që të pandehurit fillimisht i kanë siguruar kopjet e letërnjoftimeve të 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre, kundërligjshëm i kanë përdorur ato letërnjoftime në procesin e votimit për votuesit nga diaspora, ashtu që të pandehurit Kastriot, Milot, Dardan, Tahir dhe Sylë janë mbledhur në një zyre që dyshohet se ishte nën menaxhim të të pandehurit Kastriot Blakaj në Peje.

Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht aplikuan në KQZ për tu regjistruar si votues nga diaspora përmes email-adresave fiktive dhe pasi që pranojnë kodin nga KQZ, përmes atij kodi i shkarkojnë fletëvotimet nga sistemi online i KQZ-së, pastaj i plotësojnë duke votuar për pesë kandidate, në mesin e tre edhe për të pandehurin Shkumbin Gashi pastaj një kopje të letërnjoftimit dhe fletevotimin e vendosin në një zarf, dhe pasi që i plotësojnë 71 zarfe, i vendosin ne një çantë e cila mbante emrin e të pandehurit Shpëtim Shala me vendbanim ne Austri.

Tutje, sipas aktakuzës i pandehuri Kastriot Blakaj, e merr çantën me zarfe dhe me datë 2 shkurt 2021 e dërgon tek Stacioni i Autobusëve në Pejë, aty çantën ia jep njërit nga shoferet e autobusit të kompanisë “Loshi Reisen”, i cili bartë udhëtarë me autobus në linjën Gjakove-Vjenë, ku vozitës atë ditë ishin Agim Abdyli dhe Sabri Uka, pastaj me të arritur çantën e merr i pandehuri Shpëtim Shala dhe ky i fundit i vendos zarfet në postën e Austrisë me destinacion KOZ-në në Kosovë, me ç’ rast gjatë kontrollit të ligjshmërisë të kryer nga ana e prokurorit të shtetit në KQZ, ka arrit të identifikohen dhe të konfiskohen zarfet e lartcekura me fletëvotime te falsifikuara.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit” e paraparë dhe sanksionuar me nenin 213 paragrafi 1 nën-paragrafi 1.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas diapozitivit të dytë, në kohën dhe vendin si në pikën e parë të këtij dispozitivi, me dashje dhe në bashkëkryerje mes veti dhe me persona të tjerë ende të pa identifikuar, i kanë keqpërdorur të dhënat personale të disa qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri, në atë mënyrë që fillimisht i kanë siguruar kopjet e letërnjoftimeve të 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre i kanë përdorur në procesin e kryerjes së veprës penale nga pika I të këtij diapozitivi.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”, e paraparë dhe sanksionuar me nenin 336 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, në dispozitivin e tret, i pandehuri Kushtrim Gjelvukaj, më 9 shkurt 2021, në stacionin e Autobusëve në Pejë, me dashje e kanos të dëmtuarin Agim Abdyli, duke i shkaktuar frikë dhe shqetësim për jeten e tij.

Sipas këtij dispozitivi, në atë mënyrë që në ditën e incidentit, del me veturën e tipit “Audi A6”, tek Stacioni i Autobusëve dhe aty pret deri sa shfaqet i dëmtuari Agim Abdyli dhe në një moment i pandehuri Gjevukai i afrohet të dëmtuarit Abdyli, pastaj e hap dritaren e veturës dhe i drejtohet me fjalët “Mu je ka me pret a dhe hajt se ta kallxoj qejfin“, pastaj mbyll dritaren dhe largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, mirëpo i dëmtuari arrin t’ia marrë targat e veturës dhe pastaj e identifikon në bazë të fotografisë që e kishte parë në rrjetin social “Facebook” dhe procedurës së identifikimit gjatë fazës së hetimit.

Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Nr. 06/1-074 Penal të Republikës së Kosovës./BetimiPërDrejtësi

- Advertisement -
Lajmet e fundit
- Advertisement -
Lajme të lidhura
- Advertisement -